Në konferencën për mediat, presidenti Ilir Meta zbuloi se ka pasur një drekë sekrete me kreun e qeverisë. Meta tha se kryeministri e ka parë shqetësimin e tij, dhe se duhej të ishte vetë Rama sipas tij, që të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve. Presidenti tha se është suprizuar nga reagimi që shefi i mazhorancës bëri direkt pas vendimit të tij nga Berati ku ishte për fushatë, kur tha se 30 qershori nuk do të vihet në diskutim dhe se zgjedhjet do të mbahen në atë datë. Meta po ashtu foli edhe për një tentativë që ka bërë për të komunikuar me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.
“Nga e dinte zoti Rama. Kemi pasur një drektë sekrete para 10 ditësh ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sesa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe sigurisht i takonte atij që të kërkonte një shtyrje të arsyeshme për zgjedhjet vendore. Që në 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar 30 qershorin dhe për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër. Kjo nxitje e imja për dialog nuk ka funksionuar dhe 2-3 përpara se të merrej ky vendim, Rama ka qenë në një emision dhe ka thënë se nuk e vendos në diskutim 30 qershorin. Nuk kam bërë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë sepse më ka nderuar, ka vizituar Skraparin dhe Beratin për të marrë pjesë në miting. Kam bërë një përpjekje për të komunikuar me Zotin Ruci për ta takuar, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është e gjithë historia pse Rama nuk ka qenë i surprizuar. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij, ka kohë të reagojë”, tha kreu i shtetit.