Deputeti i opozitës së re nga listat e LSI, Ralf Gjoni deklaron se do të votojë kundër shkarkimit të presidentit Ilir Meta në Kuvend. Ai argumenton qëndrimin e tij duke thënë se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese shkarkimi i presidentit është i pamundur.
“Përsëri për të gjithë shpifësit inflacionistë e injorantët që keqinterpretojnë në tellallin mediatik: E thashë hapur dje se nuk ka, dhe nuk do të ketë akt parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Parlamenti nuk është Gjykatë Kushtetuese, dhe në mungesë të saj shkarkimi i Presidentit është i pamundur. E kam shprehur QARTË që ditën e parë që hyra në Kuvend se shkarkimin e Ilir Metës nuk do e votoja kurrë në kushtet aktuale. E përsëris se vota ime në çdo akt parlamentar mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale te vitit 2008! Kjo është arsyeja madhore për të cilën kam pranuar mandatin. Për më tepër, do shprehem të enjten në seancë plenare!”, thotë Gjoni.
Rezoluta për shkarkimin e kreut të shtetit do të diskutohet nesër në Kuvend në një mocion debati prej pesë orësh.
Për këtë gjë, mbrëmjen e djeshme ish-ministri i LSI-së Ylli Manjani dhe deputeti Ralf Gjoni, pjesë e Grupit të Pavarur Parlamentar kanë replikuar disi ashpër me njëri-tjetrin në rrjetet sociale.
Ka qenë Manjani, ai i cili me ironi ka sulmuar Gjonin në faqen e tij “Facebook”. Pranoi mandatin që të shkarkonte Ilir Metën ka thënë Manjani për Gjonin.
Menjëherë pas këtij statusi ka komentuar deputeti Gjoni, i cili i thotë ish-ministrit se përpara se të flasë për të në publik duhet të dezinfektohet.
Ndërkaq, ka përmendur edhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, sipas së cilit ai është në mëshirën e saj për t’u bërë apo jo deputet.
Pas kësaj replike, ka vijuar këtë herë Manjani me replika kundër komentit të Gjonit, duke i thënë se do i duhet kohë të shkojë në nivelin e tij të kritikës.
g.kosovari