“Kompetenca e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve jo vetëm datën e zgjedhjeve të përgjithshme por dhe atyre lokale është një kompentencë tërësisht jo diskrecionale. Kjo kompentencë është formale dhe jo diskrecionale për disa arsye”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj gjatë një interviste televizive.
“Kjo kompentencë rrjedh si pasojë e një procesi të tërë kushtetues apo ligjor, pra Presidenti i Republikës nuk do mundej që para 1 viti ose para 2 vjetësh të caktonte një datë zgjedhjesh. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale Presidenti i Republikës vihet përballë detyrimit për ta përmbushur këtë kompentencë në momentin kur mandati kushtetues i organit të pushtetit lokal mbaron”, tha Felaj.
Ajo vijoi se, “Presidentit të Repubikës i është dashur të bëjë një proces konsultimi me partitë në vend, proces që Presidenti i Republikës caktoi zgjedhjet më 30 qershor e bëri rregullisht me të gjitha partitë kryesore politike që janë njëkohësisht partitë parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë”.
“Data e zgjedhjeve është caktuar dhe ajo është më 30 qershor. Kushtetuta këtë kompetencë i jep Presidentit dhe asnjë lloj fuqie tjetër. Në tërësinë e argumenteve që tha sot Presidenti i Republikës nuk kishte asnjë të tillë që t’i referohej një neni kushtetues”, u shpreh Felaj.
Felaj shtoi se, “ne jemi një Republikë parlamentare dhe kompetencat e Presidentit të Republikës përcaktohen edhe nga fuqia politike, pasi Presidenti i Republikës nuk zgjidhet nga populli ai zgjidhet nga parlamenti. Pikërisht fuqia politike e tij është e tillë që përcaktohet nga numri i votave në Kuvendin e Shqipërisë që mund ta ketë dhe një parti, kompetencat e natyrës së tij janë thjesht formale”.
“Zgjedhjet do mbahen në 30 qershor dhe nuk është një datë e caktuar nga Partia Socialiste por është datë e përcaktuar nga Presidenti i Republikës. Pra procesi i zgjedhjeve ka nisur dhe nuk mund të kthehet më mbrapsht. Në rastin që Presidenti i Republikës vë veton ndaj një ligji, fuqinë e dekretit të tij nuk ia heq Presidenti vet, por ia heq Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet votimit pro ose kundër dekretit. Kjo tregon dhe njëherë që ky është një rast i paprecedent në praktikën parlamentare juridike”, tha Felaj.
“Interesi i shqiptarëve është që ata të mund të vendosin për qeverisjen e tyre lokale, pra është një e drejtë që nuk mund të negociohet dhe as të përdoret në mënyrën siç e përdori në fakt presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës u përpoq t’i jepte oksigjen përpjekjeve të dëshpëruara të opozitës që ka humbur rrugën dhe tani e vetmja gjë që i ngelet është që ai të mbajë të gjitha përgjegjësitë që Kushtetuta i ngarkon për shkak të veprimit që ndërmorri”, përfundoi deputetja Felaj.
/a.rada