Sikurse ishte paralajmëruar, Presidenti Ilir Meta ka mbajtur sot në mëngjes një konferencë të jashtëzakonshme ku dha edhe argumentet për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit, i cili u njoftua në nisje të protestës së tetë të opozitës.
Meta tha sot se sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi organ që përcakton datën e zgjedhjeve.
Meta tha se pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet qoftë ato përgjithshme qoftë ato vendore, s’mund të zhvillohen.
“Jam sot për të shpjeguar para jush dhe gjithë qytetarëve arsyet për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit. Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen”, deklaroi Meta.
Presidenti deklaroi se partitë politike të opozitës nuk janë regjistruar për zgjedhjet lokale. Zgjedhjet nuk mund të jetë një ditë përçarjeje. Meta tha se ekziston rreziku real që Shqipëria mund të shkojë drejt tensionit social.
“Kjo ka bërë që jeta politike parlamentare të pësojë një krizë përfaqësimi. Shqipëria po kalon edhe një krizë kushtetuese. Së fundmi edhe gjykata e lartë ka dalë jashtë funksioni. Ekziston rreziku real që Shqipëria mund të shkojë drejt tensionit social dhe si kreu i shtetit e konsideroj këtë si rrezik serioz. Detyra primare kushtetuese e Presidentit është të garantojë unitetin e popullit. Organizimi i zgjedhjeve të lira është baza e një shoqërie demokratike. Realizimi i zgjedhjeve lokale, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, është problematik”, tha Meta.
Presidenti theksoi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi për qytetarët dhe jo një ditë përçarje. Ai i cilësoi pretendimet e opozitës si të bazuara në fakte dhe prova.
“Është fakt publik, që në mënyrë të vazhduar partitë politike të opozitës, nuk kanë shprehur vullnetin për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngrenë shqetësimin se bazuar në faktet dhe të dhënave, si dhe historikut e mënyrës së zhvillimit të tyre ndër vite, të referuara këto edhe në raportet dhe rekomandimet e OBSE/ODHIR-it për proceset zgjedhore të zhvilluara në dekadat e fundit, zgjedhjet e planifikuara për zhvillim në datën 30 qershor 2019, nuk do të jenë të lira dhe të ndershme.
Ky shqetësim i opozitës, në thelb ngre problematikën e keqzbatimit të legjislacionit dhe standardeve të zgjedhjeve, të cilat cenojnë ndër të tjera, edhe parimin e konkurimit të lirë, parim ky për të cilin Gjykata Kushtetuese ka bërë një arsyetim shterues në vendimin nr.32/2010.
Kjo nënkupton se ato dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por me kushtin që të garantohet liria e të gjithë qytetarëve për të votuar të lire, si dhe konkurim i lirë i të gjithë forcave politike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe rregullat e mirëpërcaktuara ligjore.
Është detyrë e të gjitha organeve shtetërore që ta mundësojnë këtë, në respekt të parimit të pluralizmit, me fokus të veçantë respektimin efektiv të të drejtës për të zgjedhur” – tha presidenti.