Ish-deputeti i PS, Arben Isaraj është bërë pjesë e reagimeve për dekretin e presidentit Meta për të anuluar zgjedhje lokale të 30 qershorit.
Israj pasi thekson së vendimi i Metës është akt me karakter administrativ dhe deklaron se është u pavlefshëm.
“Natyrën juridike administrative të dekreteve të kësaj natyre, e përcakton edhe fakti se ato janë të ankimueshme në gjykatën administrative. Mungesa e formës dhe e procedurës e kërkuar nga Ligji, si dhe qënia në kundërshtim të hapur dhe flagrant me legjislacionin në fuqi, e bën Dekretin presidencial si akt administrativ, absolutisht të pavlefshëm.” shkruan Israj.
Më pas Israj shtron edhe pyetjen se çfarë do të ndodhte me institucionet në Shqipëri, sikur Presidenti të revokonte/anullonte/shfuqizonte në këtë mënyrë, dekretet e emërimit të ministrave, ambasadorëve, rektorëve, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror etj./l.m
Statusi i plotë:
‘A ka fuqi kushtetuese revokimi i mendjes presidenciale?’,
Thonë se në botë ka dy “superfuqi”, Arma dhe Mendja.
Për momentin, s’ka ende asnjë fuqi që të matet me Mendjen.
Po çtë bësh , kur një budalla politik që i ka thënë ligjërisht mendjes pirdhu, hedh një gur në lumë dhe 100 konstitucionalistë “të mençur” s’e nxjerrin dot.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit procedurial administrativ, Presidenti i Republikës, në veprimtarinë e tij nxjerr akte administrative.
Në bazë të Kushtetutës, ligjit themeltar të shtetit, Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e të gjithë kombit.
Presidenti është organi që veprimtarinë e tij e ka të ndërthurur me të tri pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Pajisja e këtij organi me një numër të konsiderueshëm kompetencash, që për nga natyra e tyre juridike, afrojnë më shumë me veprimtarinë ekzekutive urdhërdhënëse të administratës shtetërore, i japin veprimtarisë së tij dhe aktit juridik që ai nxjerr një fizionomi të natyrës administrative.
Sipas nenit 92 të Kushtetutës,
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
a) i drejton mesazhe Kuvendit; b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit; c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit; ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit; dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë; ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit; f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit; g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit; gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve; h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.
Këto kompetenca kushtetuese por dhe të tjera të dhëna me ligj, meqenëse rregullojnë marrëdhënie të caktuara të natyrës administrative, i japin pushtetit të tij një karakter ekzekutiv në ushtrimin e funksioneve.
Prandaj dhe roli i Presidentit në këto raste paraqitet tepër i afërt me pushtetin ekzekutiv.
Në këtë aspekt edhe dekreti që nxjerr Presidenti i Republikës është një akt i karakterit administrativ.
Natyrën juridike administrative të dekreteve të kësaj natyre e përcakton edhe fakti se ato janë të ankimueshme në gjykatën administrative.
Si akt administrativ, Dekreti presidencial, duhet të dalë në formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.
Mungesa e formës dhe e procedurës e kërkuar nga Ligji, si dhe qënia në kundërshtim të hapur dhe flagrant me legjislacionin në fuqi, e bën Dekretin presidencial si akt administrativ, absolutisht të pavlefshëm.
Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas ligjit, nuk prodhon pasoja ligjore pavarësisht nga fakti nëse është deklaruar ose jo si të tillë nga gjykata.
Një akt i tillë – thotë ligji, konsiderohet se nuk egziston.
Kushtetuta nuk ia njeh Presidentit as pushtetin diskrecial (diskrecioni) të administratës publike, si e drejta e kësaj të fundit që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit.
Pushtetin diskrecial të administratës publike, në demokracitë parlamentare dhe sipas Kushtetutës e ka Këshilli i Ministrave si autoritet publik.
Duke munguar fuqia kushtetuese e ligjore e revokimit të mendjes presidenciale, as më shumë e as me pak, dita e zgjedhjeve vendore, me Kushtetute e ligj mbetet, data 30 qershor 2019.
Shënim:
Imagjinoni çfarë do të ndodhte me institucionet në Shqipëri, sikur Presidenti të revokonte/anullonte/shfuqizonte në këtë mënyrë, dekretet e emërimit të ministrave, ambasadorëve, rektorëve, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror etj.
Shtet jo …. LSI po.