Policia ka vënë sërish në pranga biznesmenin shkodran Xhavit Kasemi.
55-vjeçari u vu në pranga pasi rifilloi prodhimin e pijeve freskuese në punishten që ishte në sekuestro preventive prej dy vitesh.
Kasemi ishte dënuar më parë për të njëjtën veprimtari të kundraligjshme.
“U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh.K., 55 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm” Shkodër, i arrestuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale,”-raporton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në punishten e tij, e cila është e bllokuar që nga viti 2017 ku është bërë sekuestro preventive, u gjetën të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme pije të ndryshme të cilat kishin etiketa të falsifikuara si dhe shirita etiketash të ndryshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale ”Punësim i paligjshëm” , “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Prodhim dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”.
g.kosovari