Pas kthimit nga vizita zyrtare në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në takimin me Kancelaren gjermane është vërtetuar serioziteti i Kosovës, në çështjen e dialogut.
Ndërsa ka përmendur dy opsione për suspendimin eventual të taksës.
“Qëndrimi im është konsistent, janë dy opsione. Ose një vendim i madh, pra një konferencë një ditore, atëherë Kosova është e gatshme të suspendojë taksën deri në këtë konferencë, por me marrëveshje paraprakisht të negociueshme për një vendim për përmbyllje me kusht të njohjes, por edhe nëse e suspendojmë disa ditë, nuk e ndihmojmë procesin, se mund të zgjasë me ditë dhe vjet”.
Ndërsa, sipas tij Samiti i Berlinit e ka mbyllur çështjen e shkëmbimit të territoreve.
“Takimi ose Samiti i Berlinit e ka mbyllur çështjen e formulave të ndërrimit të territorit, një çështje e tillë nuk ekziston tek asnjëra palë”.
Ai ka thënë se nga kjo vizitë i është dhënë një shtytje procesit të liberalizimit të vizave.
Haradinaj ka qëndruar në Gjermani për dy ditë radhazi me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel, ku përveç saj ka zhvilluar edhe takime të tjera atje, ndërsa ka marrë pjesë edhe në Lutjen e Mëngjesit.
/a.rada