Gjatë qëndrimit në Gjermani, Presidenti Ilir Meta mori pjesë në takimin e 24 ndërkombëtar të Berlinit, ku u takua edhe me përfaqësues të grupeve parlamentare kryesore në Bundestag, për të diskutuar lidhur me perspektivën europiane të vendit, dhe veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian sa më parë.
Në takimin që pati me nënkryetarin e grupit parlamentar CDU/CSU, Johann Wadephul dhe raporterin për Shqipërinë për CDU/CSU në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, ku u diskutua mbi perspektivën e çeljes së negociatave të anëtarësimit, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin e tyre si dhe gatishmërinë për të ndihmuar në kapërcimin e krizës dhe për rivendosjen urgjent të dialogut politik.
Presidenti Meta u takua gjithashtu me zëdhënësin për Politikën e Jashtme të grupit parlamentar SPD në Komisionin e Politikës së Jashtme, Nils Schmid, të cilin e falënderoi për mbështetjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit, dhe në tërësi për procesin e integrimit europian.
Kreu i Shtetit zhvilloi një takim të veçantë edhe me deputeten e CSU, raportere për Shqipërinë në Komisionin e BE-së në Bundestag, Katrin Staffler me të cilën gjithashtu bisedoi mbi perspektivën e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE.
/a.rada