Nga Bajram Peçi
Aspirata kombëtare për t’ju bashkangjitur aleancës politiko-ekononomike, Bashkimit Europian, mori këto ditë një përgjegje mohuese, ritual ky i këtyre 20 viteve të fundit. Siç pritej e siç dihej, spikatin Franca me Hollandën. Madje, kjo e fundit e përcjell kundërshtimin, duke e ushqyer me një frymë jo miqësore popujsh: ka kërkuar edhe përjashtimin e Shqipërisë nga e drejta për lëvizjen në BE pa viza. Një vrazhdësi kjo që ska gjasa të lidhet me diplomacinë e aq më pak me miqësinë mes popujsh! Troç e thjeshtë: nuk i kemi miq, nuk janë dashamirësit tanë! I përmbahem besimit se qendrimi i tyre ska lidhje me partinë në pushtet, siç orvatet opozita ta shpjegojë. Sjellja u drejtohet shqiptarëve. Pse e si, rrjedha trashëgimie historike apo konjukturash zhvillimesh korente, do japim ndonjë shpjegim më poshtë!?
Një vështrim mbi historinë shqiptare, ngjizjen e tij e prek të formësohej në periudhën skënderbejane. Nën kërcënimin turk, priu një aleancë historike e nevojshme dhe që pati vlera për kohën. Ishte aleanca që Skënderbeu bëri me mbretërinë e Napolit. Ai nuk ngurroi të krijonte aleanca me Skënderbeun si dhe me vjehrrin e tij, Gjergj Arianitin. Në vitin 1451, Skënderbeu nënshkroi me mbretërinë e Napolit Traktatin e Gaetas. Në vitet në vijim, deri në vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe pastaj i biri i tij Ferdinandi I (1458-1494), vazhduan t’i dërgonin ndihmë Skënderbeut, për luftën kundër turqve. Nga ana e tij, Skënderbeu e ndihmoi ushtarakisht Napolin në vitin 1462, me 3.000 luftëtarë kalorës, për mposhtjen e një revolte.
Është pikërisht kjo periudhë koha kur shfaqet më e rëndësishmja aleancë, ajo me Venedikun. Republika detare, një fuqi e kohës, e ruante aleancën me Skënderbeun dhe e prishte në rrethana konjukturash ushtarake ose ekonomike, që i krijoheshin me Turqinë, siç ndodhi të ngjante në luftën mes tyre në vitin 1448. Më pas, në vitet 1463-1468, luftën kundër turqve e bënë së bashku. Kësaj aleance Veneto-Shqiptare i parapriu marrëveshja për të nisur luftën kundër Turqisë. Venediku do i jepte Skënderbeut ndihma ushtarake dhe financiare, anije për mbrojtjen e anëdetit, pranimi në listën e bujarëve venedikas, strehë, përkrahje dhe pension, nëse do i duhej të hidhej jashtë Shqipërisë, i detyruar.
Ka qënë e vetmja periudhë kur Europa e ka parë dhe llogaritur Shqipërinë e shqiptarët si faktor. Volter, shembëlltyra e epokës të Iluminizmit francez, Shqipërinë e kohën e Skënderbeut, e ka cilësuar si “…një shtet që pasqyron kohën që ne e quajmë heroike”. Të dy aleancat sa sipër e përdorën me interes reciprok marrëveshjen: të përballnin kërcënimin turk.
Arbërit nën Skënderbeun i bënë rezistencën më të gjatë e më të dëshpëruar përparimit të turqve drejt Europës. Lufta që bënë shprehte europianizimin e tyre të natyrshëm, por rivalitetet egoiste të Europës së shek.XV i lanë shqiptarët të përpiqeshin të vetëm kundër hordhive turke. Pushtimi 500 vjeçar aziatik e la vendin gërmadhë, me pasoja tronditëse për kombin, për gjuhën, për besimin fetar, për kulturën. Të braktisur rrëzë këtij cepi të lashtë Europe, ndonëse me dekor mahnitës e male madhështorë, që nuk e ndihmuan të bënte miq, nuk ndodhi të bënin aleanca. Kur, pas pesë shekujsh robërie, turqit u përzunë, një aleancë Austrohungareze dhe Italiane, të cilat nuk donin ta shihnin bregdetin Adriatik e Jon në duart e grekëve e serbëve, këmbëngulën të formohej një shtet shqiptar i cunguar. Europa e kësaj periudhe tregoi fare pak simpati për aspiratat e shqiptarëve. Pavarësia e saj u vu në rrezik nga aleancat e fqinjve në Luftën e Parë Botërore, por sidomos nga Traktati i fshehtë i Londrës. Austrohungaria, që u përkujdes, shpejt u zhduk nga harta si fuqi europiane. Në Europë ishin formësuar ndërkohë aleanca të qendrueshme. Ato mbështeteshin në disa shtylla. Kryesorja ishte krishtërimi me ndarjet e tij. Por, kur konjukturat ju diktonin interesa të tjera, s’ishte e thënë që domosdoshmërisht krishtërimi të përdorej për t’u mbështetur. Kështu, në vitet kur Skënderbeu luftonte kundër turqve, Franca dhe Vendediku ishin në aleanca miqësore me Otomanët.
Një shtyllë tjetër ku mbështeteshin aleancat ishte grupi etniko-gjuhësor, ku ka qenë shquar dhe vazhdon të shquhet sllavizmi, i kombinuar shpesh ky me ortodoksinë. Ky grup pati Rusinë si udhëheqëse e ushqyese të aleancës së grupit. Me Rusinë perandori e shndërrimin e saj xhandar në Europë, u ngritën në Ballkan shtetet bullgare e serbe dhe nga asgjëja doli Mali i Zi. Më pas ndodhi që aleatja jonë e madhe të bëhej Italia. Me këtë shtet fqinj të zhvilluar e të emancipuar, u nënshkruam traktate që tragjikisht përfunduan me kolonizimin dhe më pas pushtimin e Shqipërisë.
Në Periudhën pas Luftës së II Botërore patëm tre aleanca, që mbështeteshin mbi ideollogjinë komuniste. Me Jugosllavinë traktatet e miqësisë dhe aleancat treguan, si në rastin e Italisë, përpos se injorancën e atyre që drejtonin shtetin shqiptar. U vetërrezikuam të humbnim përsëri pavarësinë. Me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën aleancat ndikuan së tepërmi për transformimin e vendit nga një shtet i prapambetur e thellësisht feudal, në një shtet që vendos mbi binarë zhvillimi kombëtar arsimin, shëndetësin, kulturën, elektrifikimin, bonifikimin, bujqësinë, komunikacionin, sportin dhe mbrojtjen. Ritmet do ishin edhe më të larta nëse Enver Hoxha, i trëmbur pas të ashtuquajturit “Raport sekret” mbi kultin e individit, nuk do i kish prishur aleancat Me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin ushtarak të Varshavës. Në konjukturat e reja të krijuara në Europën Lindore, që E.Hoxha i pa si të rrezikshme për mbijetesën e tij në pushtet, Bashkimi Sovjetik dhe rusët ikën, për të mos ardhur më. Me Kinën, aleati tjetër i madh, nuk e banalizoj po të përmend mendimin e një mjeku me emër: E. Hoxha na prishi për shkak të avancimit të sëmundjes së diabetit. Marrëzia e madhështisë, edhe nëse nuk është kjo, prishi aleancën me Kinën e Madhe Popullore (siç vetëquheshin) dhe solli në Shqipëri aleaten e vjetër, varfërinë, që erdhi fillimisht në formën e tallonave të racionimit.
Shqipëria, e përcaktuar tashmë me identitet fetar me shumicë myslymane, filloi të coptohej në dobi të fqinjëve të krishterë, që me Kongresin e Berlinit e pasoi me Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Ngelëm një vend i vogël në territor, në popullsi, në burime ekonomike dhe pa miq. Megallomania komuniste, e udhëheqjes së saj, posaçërisht e majës së piramidës, që ishte posti i Sekretarit të Parë, me izolimin, me mbylljen, me prishjet idiote, i bënë Shqipërisë, pak a shumë, po atë gjëmë që i kanë bërë pushtimet. Vënde të vogla si yni, madje edhe shumë më të mëdha, i kanë patur mend të krijonin aleanca e traktate miqësie të qendrueshme. Ne, kurrë se bëmë këtë! Kur Kosova fitoi falë SHBA-së pavarësinë nga kolonialistët serbë, në çdo tavolinën tonë pune, krahas flamurit kombëtar u vendos dhe flamuri amerikan. Ndonëse e dinim se një hap e kish ndarë premtimin e Presidentit Uillson për t’i dhënë Greqisë jugun shqiptar, figurën e tij nuk ngurruam ta glorifikojmë sepse nuk e bëri dhe, më tej akoma, na shpëtoi nga coptimi. Shumica jonë, një gjë e dinin mirë: po të ishte për Europën Kosova do mbetej sot e mot nën Serbinë! Është kjo arsyeja që Shtetet e Bashkuara i shohim si idhuj, si aleatë, si mbrojtës të mëdhenj të kombeve të vogla. Në klimën e re, ndjekim në distancë çdo detaj e lëvizje të Tramp e Bolton, por tashmë me sigurinë që na jep aleanca ushtarake e NATO-s.
Faqet sociale në facebook janë mbytur sot me komente, ku shquan sidomos pikëpamja dhe opinioni se në bashkësinë europiane nuk do pranohemi sepse jemi shtet me shumicë myslimane. Kjo jepet si një nga arsyet kryesore. Nuk do të doja ta besoja! Ajo që di të them është se Franca e Belgjika ka, në raport me popullsinë, praktikantë myslimanë më shumë nga Shqipëria. Nga ana tjetër, s’është e tepërt të kujtoj se shqiptarët ortodoksë, katolikë e myslimanë kanë treguar që mund të jetojnë së bashku në harmoni e mirëkuptim të plotë. Toleranca është e njihet në këto tre bashkësi fetare, si tipar bazë i tyre. Arsyeja hollandeze: shtim i veprimtarisë kriminale të shqiptarëve në këtë shtet, ngjan të jetë më shumë skenar filmi, siç arti i kinematografisë krijoi serialin “Taken” përmes Pierre Morel e Liam Neeson-it. Numëri i kriminelëve me moshë të re, që vjen në botë duke u shtuar, nuk është tipar shqiptar. Nuk ka asnjë statistikë dhe nuk jepet asnjë provë për këtë.
Për të arritur të vërtetën pse nuk na duan, duhet së pari, ta duash të vërtetën! A mendojmë ne si europianë, a besojmë në vlerat e saj? Pa mëdyshje që po! Europianët, në takimet bi apo multilaterale kanë meritën që janë përherë të qeshur e të ëmbël. Nga ana tjetër, ne shqiptarët, ndonëse durimin nuk e kemi virtytin tonë kryesor, i jemi përmbajtur, jo për taktikë se sa për moral, që t’u japim zgjidhje me përkushtim një sërë detyrash që na afrojnë me Europën. Janë 27 parlamente europiane që do vendosin. Po e marr të mirëqënë se nuk do na e japin kënaqësinë e pranimit. A duhet të jemi shpresëhumbur? Kurrësesi jo! Popullata e arsimuar europiane e dinë që parlamentet e vëndeve të tyre janë ca makineri për të bërë karrierë dhe për të fituar para. Vendimet për Shqipërinë do jenë të diktuara nën efektin e opinioneve, të aleancave të vjetra e të reja, të simpative e njohjeve personale e, pse jo, të snobizmit ndaj të voglit e të varfërit.
Shqiptarët nuk kanë dashur asgjë për vete, që të mos vlente edhe për Europën. Mesa duket, kur merr përsipër shëndetin e gjithë njerëzimit, një pjesëz e sëmurë e trupit tënd nuk ka rëndësi. Durim njerëz! Të mos i heqim sytë nga popujt e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Italisë e Francës. Nuk jemi shpresë humbur, që të shohim në drejtim tjetër.