Një zyrtar i lartë i gjigantit të teknologjisë kineze Huawei tha të enjten se ai shpreson se armiqësia mes kompanisë së tij me Shtetet e Bashkuara do të zgjidhet ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të kenë pasoja nëse do të shmangnin teknologjinë kineze.
Mika Lauhde, zëvendëspresident i kompanisë Huawei për sigurinë kibernetike dhe privatësinë, tha për agjencinë The Associated Press se ai shpreson për një “zgjidhje pozitive” të ngërçit me qeverinë amerikane.
Ai shtoi se kompania e tij nuk është “thelbi i çështjes”, duke vënë në dukje luftën më të gjerë tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj ofruesit më të madh të pajisjeve të rrjetit dhe krijuesit të dytë më të madh të telefonave inteligjentë në botë, duke argumentuar se është ligjërisht i kontrolluar nga qeveria kineze, e cila mund të përdorë produktet e kompanisë për spiunazh kibernetik.
Huawei i mohon këto akuza.
Disa ekspertë të sigurisë kibernetike thanë se Uashingtoni, duke shkuar aq larg sa duke paralajmëruar vendet e tjera për të mos punuar dhe vepruar me Huawei, do ta inkurajojë edhe më shumë Kinën të bëhet teknikisht më e pavarur dhe do ta ndajë botën në dy kampe të teknologjisë.
Ndërkohë lidhjet teknologjike midis Kinës dhe Rusisë, po zgjerohen. Operatori kryesor i telefonisë celulare MTS dhe Huawei njoftuan të mërkurën një marrëveshje për të zhvilluar së bashku rrjetet 5G në Rusi.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Kremlin./voa