Organizata shqiptare dhe të huaja kanë shpalosur vizionin e tyre për luginën e lumit Vjosa, duke propozuar krijimin e Parkut të parë Kombëtar të Lumit të Egër në Europë, si dhe duke evidentuar vlerat e rralla natyrore dhe potencialin e zhvillimit të turizmit që ofron zona.
Ulrich Eichelmann, drejtori ekzekutiv i ‘Riverwacht’, një nga kompanitë, ka thënë se nëse mbi lumin Vjosë ndërtohet një digë, lumi ka për të vdekur. “Nuk mund të ketë edhe hidrocentral, edhe park kombëtar. Ndaj në këtë rast populli shqiptar duhet të vendos midis hidro-energjisë apo turizmit.”
Megjithatë, fakti që qeveria po avancon me planet për ndërtimin e HEC-eve mbi Vjosë, sikurse është Hidrocentrali i Poçemit apo Kalivçit, do të zhbënte vizionin për një park unik të këtij lloji në të gjithë Europën.
Alek Miho, lektor në Fakultetin e Shkencave të Natyrë, është shprehur se duhet të ruhet një balancë mes zhvillimit të energjisë dhe ruajtjes së ekosistemeve të rëndësishme. “Zhvillimi i një parku kombëtar në lumin Vjosë do të krijonte një park të veçantë në të gjithë Evropën.”
Drejtori i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej tha se propozimi duhet të diskutohet me të gjithë institucionet e përfshirë, por sipas tij Vjosa nuk ka karakteristika për park Kombëtar. Ai u përpoq të japë shifra mbi avancimin e projektit të Kalivaçit në masën 80%, çka sipas drejtuesit të organizatës EcoAlbania nuk është e vërtetë.
Sipërfaqja totale e parkut të propozuar të Vjosës është 111.600 ha, ndërkohë që planifikimi duhet të realizohet brenda 3 viteve, në bashkëpunim me komunitetet locale, ekspertë ndërkombëtarë dhe ndërkombëtare, institucionet qendrore dhe vendore, etj. Shpallja e parkut kombëtar synohet të konkretizohet në vitin 2023. (Scan)/l.m