Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi se dalja e përgjimeve dhe sekretit hetimor në media është një problem i Prokurorisë pasi nuk e ka hetuar këtë çështje.
Në një intervistë televizive Çuçi tha se, “e shoh si një problem që ka të bëjë me prokurorinë”. “Ka dy momente që e komprometojnë prokurorinë. Momenti i parë pse prokuroria nuk e ka hetuar këtë çështje që në momentin që ka marrë përgjimin konkret. Bëhen 2 vite që përgjimi është administruar dhe nuk ka bërë asnjë veprim dhe e dyta nxjerrja e sekretit hetimor. Të dyja këto janë probleme shumë më të rënda se sa ato përgjime”, theksoi ai.
Ministri tha se, drejtësia duhet të veprojë me shpejtësi dhe të faktojë se kush ka nxjerrë në publik sekretin hetimor.
“Është shumë e rëndë kur ndodh që politika ndërhyn tek drejtësia apo në rastin konkret tek prokuroria. Ka dy vjet që Prokuroria nuk ka bërë asgjë, tani nxjerr materiale në prag të fushatës elektorale. Të hetohet se kush i ka nxjerrë deri në fund. Në fushatë iu flitet njerëzve për alternativë”, shtoi Çuçi.
Çuçi foli edhe për shkrimin e botuar në medien gjermane. “Më shqetëson shumë. Për fat të keq ka disa mediea që kanë vënë në dispozicion një vesh tek opozita. Më shqetëson sepse nuk mund të vijë një turist nga Gjermania pasi ka lexuar këtë shkrim. Kjo më shqetëson, sepse lidhet drejtpërdrejt me ekonominë. Por, ku faktohet aty se janë vjedhur votat. Kush kryen një vepër penale duhet të shkojë në burg. Nuk ka asnjë fakt aty”, tha ministri.
Sa i përket arrestimit të Avdylajt, Çuçi tha se, “kjo është një ngjarje që ka ndodhur më vonë nga përgjimet. Duhet t’i vëmë edhe ngjarjet në kronologji. E ka arrestuar po kjo polici, po kjo qeveri”.
Çuçi tha se, “dihej fabula sepse nga kjo dosje kanë dalë dhe përgjime të tjera. Publiku besoj e ka marrë, i ka dëgjuar dhe është bindur se aty nuk ka asgjë të jashtëzakonshme nga zakoni jo i zakonshëm i politikës shqiptare”.
/a.rada