Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është shprehur i shqetësuar për tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar nga të dy palët të përmbahen nga deklaratat dhe provokimet nxitëse që mund të provokojnë çrregullime të mundshme.
Guterres ka shtuar se një raporti mbi situatën në Kosovë do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën, më 10 qershor, ku tha se duhet që menjëherë të hiqen të gjitha pengesat e vëna për vazhdimin e dialogut
“Tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojnë të përfaqësojnë një pengesë për të vazhduar dialogun si produktiv dhe është shqetësuese për zyrtarët vendor dhe ndërkombëtar për shkak të përkeqësimit të mundshëm të stabilitetit”, tha Guterres.
Ai vuri në dukje se taksa 100 e vendosur ndaj produkteve serbe është ende në fuqi, njësoj si paralajmërimet e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq për kundër-masa ndaj Prishtinës nëse taksa nuk hiqet.
I njëjti ka theksuar se nga raportimi i tij i fundit nuk është zhvilluar asnjë takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, ndonëse në fund të prillit dy palët janë takuar në samitin e Berlinit, samit ky i organizuar nga Gjermania dhe Franca.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres tha gjithashtu se në gjashtë mujorin e fundit në Kosovë janë kthyer 43 persona, prej tyre 34 serbë. Tutje u tha se në periudhën e fundit pati edhe disa incidente të shënuara kryesisht në vendbanimet me etni të përziera.
Që nga miratimi i Rezolutës 1244 në mesin e vitit 1999, Këshillit i Sigurimit ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, raportimet e ardhshme do të bëhen dy herë në vit./l.m