Vitin që lamë pas Shqipërinë e vizituan rreth 50 mijë turistë gjermanë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shpreson se këtë vit ky numër do të jetë më i lartë. Kjo pasi nga 12 Korriku do të nisë fluturimet linja direkte nga Tirana në Dyseldorf dhe anasjelltas.
Për herë të parë në Shqipëri do të ketë një linjë direkte fluturimi nga Tirana në Dyseldorf dhe anasjelltas. Ajo do të nisë nga 12 Korriku dhe çdo javë parashikohen tre fluturime. Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi sipas të cilit Shqipëria po kthehet në një destinacion të qëndrueshëm turistik europian.
“Me hapjen e të paktën 2 hoteleve me 5 yje të kompanive gjermane në Shqipëri, me vendosjen e këtyre linjave direkte, tregu gjerman do të jetë më i pranishëm në vendin tonë. Padyshim është një shenjë shumë e mirë që Shqipëria po shndërrohet në një destinacion europian turistik dhe në destinacion të qëndrueshëm”, tha ai.
Gjatë vitit 2018 sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vendin tonë e vizituan rreth 50 mijë turistë gjermanë.
/a.rada