Nga Bekim Bislimi, Rel
Që nga Marrëveshja e Brukselit e arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013, që rezultoi me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në nëntor të po atij viti edhe në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat janë me shumicë serbe, institucionet e Kosovës më pas kanë arritur ta shtrijnë pushtetin juridik edhe në këtë pjesë të vendit.
Por, integrimi faktik i katër komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë veriore, ndonëse ka shënuar përparim, nuk ka arritur asnjëherë të rrumbullakohet dhe të fitojë në tërësi lojalitetin e qytetarëve të asaj pjese të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktualisht, ekziston një numër shumë i madh i qytetarëve serbë të asaj pjese, të cilët kanë marrë dhe i përdorin dokumentet e Kosovës, i kanë bizneset e regjistruara, kryejnë regjistrimet në regjistrin civil të Kosovës.
Por, sipas tij, vështirësitë politike të integrimit të veriut, kryesisht ndërlidhet me problemet e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe manovrat dhe fuqia e kësaj të fundit për t’i minuar këto presione, në mënyrë që ta mbajë ndikimin në veri të Kosovës. Gjithashtu, sipas tij, e gjithë kjo situatë ka të bëj edhe me mungesën gati se të tërësishme të institucioneve në Prishtinë, për të pasur një qasje më gjithëpërfshirëse për t’i integruar serbët e veriut të Kosovës në sistemin e vendit.
“Ka pasur hezitim në Prishtinë dhe nuk ka qenë agjendë konsistente integrimi i komunitetit serb dhe shtrirja e rendit dhe ligjit në atë pjesë, për shkak të problemeve në pjesën tjetër të Kosovës, për shkak të problemeve politike, për shkak të problemeve me rendin dhe ligjin në Prishtinë dhe me institucionet e udhëhequra nga, kryesisht, shqiptarët. Megjithatë, mendoj që ka pasur efekte pozitive. Qytetarët e veriut duan të jenë pjesë, kështu siç është, me një status të avancuar të Kosovës. Por, efekti i këtyre shtrirjeve të institucioneve, është më i mangët se sa që ishte dashur që të ndodhë”, tha Rashiti.
Ai shtoi se efekti i shtrirjes së institucioneve në veri nuk ka arritur të jetë më i madh se sa efekti i problemeve të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak se problemet dhe konfliktet bilaterale po e pengojnë jetën normale të qytetarëve, përfshirë edhe ata në pjesën veriore të Kosovës.
Pa kontroll të plotë mbi veriun e Kosovës
Njohësi serb i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, deri më tash kanë thënë se kanë pushtet dhe kontroll të plotë mbi veriun e Kosovës. Por, sipas tij, ngjarjet e fundit në veri të vendit, të cilat ndërlidhen me aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të caktuar, të dyshuar për krim të organizuar dhe kontrabandë, reflektojnë situatë krejtësisht tjetër nga ajo që pretendojnë autoritetet e të dyja vendeve.
“Ne jemi bindur tash se nuk e kanë pushtetin e plotë as njëri e as tjetri. Nuk e ka as Prishtina, por as Beogradi. Ngjarjet e fundit e thonë pikërisht këtë. Për mua është brengosës fakti se Beogradi dhe Prishtina po shkëmbejnë akuza rreth asaj se ku ka krim dhe kriminelë më shumë. Në fakt, duket se Beogradi dhe Prishtina, në mënyrë të njëjtë po i mbrojnë kriminelët e tyre në veri të Kosovës”.
“Kjo u dëshmua edhe me këto arrestimet e fundit, se ka ekzistuar urë e qartë ndërmjet mjaft serbëve dhe shqiptarëve dhe kur bëhet fjalë për kriminalitetin, pavarësisht se çfarë janë marrëdhëniet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kriminelët e kuptojnë mjaftë mirë njëri tjetrin dhe kanë bashkëpunim”, tha Nojkiq.
Në anën tjetër, lierët politik të serbëve në Kosovë, e sidomos të atyre të veriut të vendit, të cilët i takojnë Listës Serbe, në mënyrë të hapur dhe publike mohojnë lojalitetin ndaj shtetit të Kosovës, pavarësisht se janë pjesë e institucioneve të sistemit të Kosovës dhe thonë se janë besnik të shtetit të Serbisë.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, gjithashtu edhe kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore, së fundmi ka ripërsëritur deklaratën e tij se përderisa ekzistojnë serbë në Kosovë, ajo është tokë serbe. Ai ka theksuar se komuniteti serb i Kosovës i takon shtetit të Serbisë dhe i beson vetëm presidentit të saj.
“Ky popull është me ty kryetar dhe të besojmë vetëm ty dhe vetëm shtetit tonë. Ne nuk do të frikësohemi dhe do të mbesim këtu”, ka thënë Rakiq, gjatë një proteste të mbajtur më 29 maj, në Mitrovicën Veriore.
Veriu, ‘adut’ për marrëveshjen përfundimtare?
Më herët, Vuçiq, pas fitores së kandidatëve të Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës, më 19 maj, pati theksuar se “ky është konfirmim i luftës përinteresat më të rëndësishme shtetërore” të Serbisë.
Orientimin, të paktën deklarativ, të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, kah Beogradi, Rashiti e sheh si agjendë politike të instruktuar nga Beogradi, për t’i refuzuar në çdo kohë institucionet e Kosovës. Megjithatë, sipas tij, qytetarët serbë, nuk i besojnë pohimet e liderëve serbë, për shkak se në praktikë, ata veprojnë ndryshe.
Por, deklaratat e liderëve serb të Kosovës, siç thotë Rashiti, reflektojnë pozicionimin që Beogradi dëshiron të ruaj në negociatat me Kosovën e që nënkupton se nuk heq dorë nga pjesa veriore e Kosovës dhe kontrolli mbi të.
“Atë e ruan si kundërvlerë për marrëveshje finale me Kosovën. Ajo që është arritur në kuadër të dialogut teknik, për të lejuar zgjedhjet, integrimin policisë dhe të tjera, ka të bëjë me kushtet e specifike që BE-ja ia ka vendosur Serbisë, e Gjermania në veçanti, për hapjen e negociatave, për një proces, deri diku, normalizimi”.
“Por, ai proces nuk ka qenë për njohje reciproke dhe nuk ka qenë për mbylljen e procesit të plotë të normalizimit (të marrëdhënieve) Serbi – Kosovë. Siç e tha presidenti serb (Aleksandar Vuçiq) në Kuvendin e Serbisë, ‘pjesën tjetër të Kosovës nuk e kontrollojmë, por veriun nuk e lejojmë askënd që ta kontrollojë’”, u shpreh Rashiti.
Ndërkaq, Nojkiq vlerëson se sikurse qytetarët në veri të Kosovës, ashtu edhe liderët e tyre politik i kanë pranuar institucionet sipas sistemit të Kosovës. Deklaratat e liderëve politik të serbëve, shërbejnë për, siç thotë ai, konsum të brendshëm, por edhe për ta ruajtur pozicionin e politikës së Beogradit zyrtar.
“Marrë parasysh që Vuçiq ka pasur planin rreth përcaktimit të kufirit dhe ka qenë në masë të madhe i bindur se do ta bëj një caktim të tillë të kufirit,për një plan të tillë i janë nevojitur përfaqësues të pushtetit në Prishtinë. Ata i ka parë në përfaqësuesit politik që janë nga veriu dhe në këtë mënyrë ai po përpiqet ta zbatojë planin e tij.
Por, marrë parasysh që nuk ka pasur sukses në këtë, tashmë ai po përpiqet të gjej zgjidhje tjetër, pra, të bëj një plan tjetër. Prandaj ai tash po i manipulon politikanët serb të veriut dhe unë mendoj që ky manipulim do t’i kushtojë shumë serbëve në veri”, tha Nojkiq.
Sidoqoftë, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, të cilët i takojnë Listës Serbe, subjekt ky politik i krijuar dhe i mbështetur nga Beogradi zyrtar, në disa raste kanë bojkotuar institucionet e Kosovës, duke dhënë dorëheqje nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga institucionet tjera.
Së fundmi, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, kryetarët e të katër komunave veriore, më 26 nëntor 2018, patën dhënë dorëheqje, por jo edhe ata të komunave tjera me shumicë serbe në pjesën qendrore të Kosovës, të cilët po ashtu i takojnë Listës Serbe.