Nga Mero Baze
Kjo është një fushatë që nuk ka nevojë për pompozitet. Nuk ka nevojë për spote negative, apo luftë me kundërshtarët. E gjitha u konsumua deri më 30 maj. Opozita nuk pranoi të hyjë në garë dhe konkurrentët përballë Partisë Socialiste, mbulojnë rreth 40 për qind të bashkive.
Por kjo s’do të thotë që kjo fushatë s’do të ketë armiqtë e saj.
Kandidatët më të rrezikshëm për armiqë të saj do të jenë vet socialistët. Identikti i socialistit që mund të prishë zgjedhjet, është ai socialisti i ardhur nga rruga, i katapultuar pa meritë, pa garë, me klientelizëm apo rreth të njohurish, që nuk i intereson shumë se si do shkojnë zgjedhjet, por do të fitojë me çdo kusht dhe nëse ka ndonjë të pavarur apo rival të ndonjë partie të vogël përballë.
Është ai rrethi i njerëzve meskinë, zullumqarë, që janë të gëzuar që nuk kanë rivalë serioz përballë dhe mund të bëjnë kërdinë në qendrat e votimit. Ashtu siç bënë shumë deputetë të Berishës më 26 maj, kur opozita kishte braktisur zgjedhjet.
Armiku i dytë i këtyre zgjedhjeve, por sidomos i ditës së zgjedhjeve, është bojkoti i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përveçse kjo mungesë ka vrarë garën, ajo do të vrasë për vite të tëra nga pas këtyre zgjedhjeve, skenën elektorale të Shqipërisë.
Për herë të parë ne do të kemi një identifikim të trupës votuese të Shqipërisë. Ne pas 30 qershorit, do të dimë shumë mire kush është socialist dhe kush është demokrat në letra. Dhe kjo do të shkatërrojë për vite të tëra zgjedhjet, pasi me një program të thjeshtë në kompjuter, ti mund të llogarisësh thuajse me emra kush janë votuesit e tu dhe kush janë kundërshtarët, e çfarë mund të bësh me ta.
Partia Demokratike e bëri këtë idiotësi në vitin 1998, në referendumin për Kushtetutën dhe identifikoi trupën e saj votuese, përmes bojkotit.
Ka mjaftoi që tri palë zgjedhje më pas, organizuar nga Ilir Meta dhe Fatos Nano, njerëzit e PD të mos e gjenin më kurrë emrin në qendrën e votimit, por ishin të shpërndarë njëri në Kombinat e tjetri në Kinostudio.
Tani do të jetë dhe më keq. Identifikimi i trupës votuese, do të bëjë që presioni të shkojë direkt tek votuesi dhe kalkuluesit e zgjedhjeve ta kenë më të lehtë dhe me më pak kosto punën e tyre.
Ky fenomen do ta shoqërojë gjatë si një flluskë ajri brenda enës së gjakut të sistemit elektoral, duke e futur atë në kolaps.
Ndaj ndoshta do të ishte e zgjuar si taktikë, që PD të bojkotojë zgjedhjet, por zgjedhësit e saj të mos identifikohen si bojkotues, por të shkojnë të votojnë si të duan. Të paktën kështu nuk do ta kemi të qartë kush janë votuesit e PD e PS.
Armiku i tretë i këtyre zgjedhjeve është dhuna. Nuk mendoj se ajo do të dëmtojë zgjedhjet, por retorika rreth dhunës do të konsolidojë atë si mjet politik.
Fjala vjen nuk është e rrezikshme se PD mund të përdorë dhunë në disa qendra, apo qoftë dhe disa bashki. E rrezikshme është të kthehemi në vitin 2001, kur dhuna e policëve të Ilir Metës dhe atyre që prishnin zgjedhjet, i çoi zgjedhjet në pesë raunde.
Armiki i katërt i këtyre zgjedhjeve janë komisionerët një partiakë. Për shkak të anomalisë që prodhoi bojkoti, skema e komisionerëve është thuajse një partiake. Tani më shumë se kurrë duhet rikthyer amendamenti i Bashkim Finos, që u hodh poshtë në Kuvend dy muaj më parë.
Socialistët duhet të tërheqin komisionerët që kanë çuar në qendër votimi dhe të miratojnë një skemë të re komisionerësh nga shoqëria civile, ose nga profesione të përcaktuara, fjala vjen mësues apo gjyqtarë, dhe jo më me 7 vetë, por tre, ose katër vetë.
Ky do të jetë një rast i mirë që kjo skemë të konsolidohet dhe në reformën elektorale.
Armiku i pestë i këtyre zgjedhjeve dhe më i rrezikshmi është mungesa e konkurrencës së vërtetë. Kjo nuk kompensohet, pasi nuk është në dorë të atyre që garojnë, por në dorë të atyre që nuk garuan.
Kjo do të mbetet një sëmundje e pashërueshme e këtyre zgjedhjeve, dhe ndoshta ajo që do të dëmtojë më tepër perspektivën e tyre. Por mbi të gjitha, do të ndëshkojë opozitën dhe të ardhmen e saj, që do ta vuajë gjatë.
Si të tilla, këto zgjedhje, edhe pse pa telashe elektorale, janë zgjedhjet me më shumë rreziqe politike për Shqipërinë, që kërkojnë më shumë përgjegjësi, transparencë dhe ndershmëri, se çdo palë zgjedhje tjetër.
Dhe mbi të gjitha, kërkojnë pjesmarrje. Ajo është e vetmja recetë që mund t’i mbajë gjallë.