Leo Messi, duke folur për “Fox Sports” në Argjentinë, komentoi edhe marrëdhënien që ka me CristianoRonaldo dhe çfarë do të thotë për të konkurrenca me sulmuesin portugez, që zgjati shumë vite në La Liga: “Ishte diçka e mirë, që të luaja në një kampionat me Cristiano. Ai e bëri Real Madridin më të fortë. Siç e thashë në fillim të sezonit, Real Madridi do të ndihej si çdo ekip, pa Ronaldon.
Pak njerëz madrienë ishin të zemëruar me këtë që thashë, por ky është realiteti. Cristiano shënonte deri në 50 gola për sezon, ishte çelësi për Real Madridin. Pa dyshim, do të ndjenin mungesën e tij, ashtu si krejt La Liga. Prania e tij e bënte kampionatin më të mirë. Ne nuk e komunikojmë me njëri-tjetrin, takohemi vetëm në ceremoni çmimesh apo në ndeshje, por ekzistojnë ndjenja të mira reciproke.
Nuk kemi një marrëdhënie, sepse nuk e njohim njëri-tjetrin, por gjithmonë kemi respekt të ndërsjellë. Ishte i mirë rivaliteti për të dy, sepse vazhdimisht donim ta përmirësonim veten. E bëmë konkurrencën edhe më të fortë, duke qenë të dy në Spanjë. Ishte një rivalitet shumë i rëndësishëm. Sergio Ramos? Ai është një lojtar i mrekullueshëm, por i ashpër.”
Lionel Messi thotë se fëmijët e tij e kanë ndihmuar si ta kapërcejë dhimbjen e humbjes në fushën e futbollit, sepse ka gjëra më të rëndësishme në jetë. Ikona e Barcelonës ishte i dëshpëruar për ta shtuar titullin e pestë të Ligës së Kampionëve në koleksionin e tij, këtë sezon, por mbeti tepër i zhgënjyer nga eliminimi kundër Liverpool, përpara se të merrte një tjetër goditje, duke humbur finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias.
Messi ka tre djem me bashkëshorten Antonella; Thiago, Mateo dhe Ciro. Ai thotë se atësia i ka dhënë një përmasë më të madhe pjekurie për jetën. “Humbjet në futboll më lëndojnë, por fatmirësisht kam fëmijët, merrem me ta dhe duket sikur gjithçka kalon, – tha ylli i Barcelonës për “FOX Sports” në Argjentinë. – Kur ka lindur Thiago (më 2012), kam kuptuar se prioritetet janë të ndryshme, jo vetëm rezultat i një ndeshjeje.
Më dhemb shumë humbja, por shkoj në shtëpinë time, shoh fëmijët dhe gruan time, kështu që hidhërimi kalon. Para kësaj, kthehesha në shtëpi dhe mbyllesha në vetvete. Nuk doja të shikoja TV, as të ushqehesha. Tani kam një detyrë, që të jem në tavolinë me fëmijët e mi. Unë ende vuaj nga humbjet, por i trajtoj ato në një mënyrë tjetër”.
Pas shtatë viteve baba, Leo e di shembullin që duhet të japë: “Kjo është jeta. Mund të pengoheni, edhe të rrëzoheni, por ktheheni e luftoni për ëndrrat tuaja. Ngritja, duke u përpjekur përsëri, është mesazhi për fëmijët, që duan të më shikojnë. Dua ta përfundoj karrierën time duke fituar diçka me ekipin kombëtar, ose të provoj sa më shumë herë që të jetë e mundur. Nuk pëlqej të ketë njerëz që nuk më duan, apo komentet e këqija, që bëhen ndaj meje”.
Leo Messi foli edhe për të ardhmen dhe sfidën më ambicioze, që do të ishte pjesëmarrja në Kupën e Botës 2022, në Katar. Ylli i Barcelonës do ta pëlqente këtë “stacion” në fund të karrierës, por asgjë nuk është e qartë për të: “Nuk e di nëse do të jem në Botërorin e Katarit. Ne ishim me të vërtetë afër për ta fituar atë kompeticion, por nuk ia dolëm në Brazil, në vitin 2014. Zoti do të vendosë nëse do të jem apo jo në Kupën e Botës së Katarit. Sot jam spektakolar, shumë mirë fizikisht, por kam 32 vite mbi supe dhe nuk e di se si do të vazhdoj. Shpresoj të mos kem lëndime të rënda, të ruaj gjendjen e mirë fizike dhe të mund të vazhdoj përpara”.
Po çfarë do të bëjë Messi, pasi t’i “varë këpucët në gozhdë”? Argjentinasi nuk ka një plan të qartë: “Unë shpresoj që të luaj sa më gjatë në fushë. E kam një frikë të vogël, se çfarë do të ndodhë më pas. Nuk kam asgjë në mendje për momentin. Unë e dua këtë që bëj aktualisht, siç e kam dashur futbollin që fëmijë. Gjithmonë kam qenë i lidhur me futbollin, kam pasur një rutinë përqendrimi, lojëra, pushim… Duke qenë në shtëpi dhe mos ditur se çfarë të bësh, më duket e vështirë”.
Ylli i Barcelonës flet edhe për të ardhmen e tij të mundshme si trajner: “Në fillim nuk e shoh veten as si drejtor teknik, ndoshta më pas do të më qëllojë, por do të doja të stërvisja fëmijët, të rinjtë. Për momentin nuk mendoj të bëj trajnerin në nivele profesionale, apo në ekipet e para. Shumë djem të rinj rriten duke më parë te Barcelona apo ekipi kombëtar. Duket sikur të rinjtë kanë më tepër dashuri për mua, më mbrojnë shumë”.