Një skemë e pastër e mashtrimit ushqimor u bë sot publike nga ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi dhe drejtori i AKU, Agron Hetoja.
Skema e mashtrimit ishte e tillë ku operatorët importonin margarinë, por e paketonin dhe e shesin në treg si gjalpë.
“Përmes një videoje të shkurtër ilustrohet e gjithë skema, e cila u zbulua nga vetëm pesë inspektime të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Produkti me yndyrë bimore pasi importohet nga Ukraina, me mangësi në dokumentacionin shoqërues, zhdoganohet si margarinë dhe më pas shpërndahet në operatorë të tjerë të zinxhirit ushqimor. Importuesi e faturon margarinën si gjalpë. Marketet as që nuk e kontrollojnë fare vlefshmërinë e dokumentacionit shoqërues të produktit dhe e shesin duke e keq-etiketuar si gjalpë”, thuhet në njoftim.
Ministri Çuçi tha gjatë fjalës së tij se është i vendosur për të mos lejuar asnjë operator që abuzon me ushqimet në treg dhe vë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.
‘Nuk do të tolerojmë asnjë abuzues që tenton të mashtrojë konsumatorin shqiptar për qëllime fitimi. Kodi Penal do të miratohet shumë shpejt. Do të ndëshkojmë çdo abuzues që bëhet pjesë e një skeme të tillë si kjo e margarinës me gjalpin. Të gjithë inspektorët që merren me sigurinë ushqimore, nëse bëhen pjesë e këtyre skemave, jo vetëm që do të ikin nga puna, por do të shkojnë edhe në burg. Operatorët e biznesit i ftoj të bëhen pjesë e kësaj beteje sepse është në interes të tyre. Ftoj qytetarët të denoncojnë pa frikë çdo rast që ata konstatojnë se është cenuar siguria ushqimore’, tha Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./l.m