Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 muaj burg ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza për falsifikim të formularëve.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë u shpall fajtor, pasi fshehu në formularin e dekriminalizimit, një dënim për vjedhje që kishte marrë në Itali në vitin 1999.
Admir Thanza nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe lënien e tij për 18 muaj në shërbim prove.
Ish gjyqtari e konsideroi të pabazuar në ligj akuzën e ngritur, teksa argumentonte se vendimi i gjykatës italiane nuk është vendim dënimi.
Ishte procesi i vettingut dhe operacioni ndërkombëtar i monitorimit që zbuloi se Admir Thanza prej 19 vitesh fshihte një dënim të dhënë nga drejtësia italiane në vitin 1999 me akuzën e vjedhjes së sendeve dhe produkteve kozmetike në një supermarket në zonën e Pescarës.
Kjo gjetje e ONM-së bëri që më 17 korrik 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ta shkarkonte Thanzën nga detyra duke e nxjerrë jashtë sistemit.
Admir Thanza ankimoi vendimin, por edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shkarkimi i tij u la në fuqi.
Admir Thanza, ka qenë edhe gjykatës në Gjykatën Kushtetuese dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndër vite.
g.kosovari