Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Kyle Randolph Scott tha se është qartë se në raportet midis Beogradit e Prishtinë ka mosbesim.
Ai konsideron se është e nvojshme që palët të kthehen në tavoolinën e negociatave dhe të vazhdojë dialogu dhe se qëndrimi i SHBA mbetet ai që ka qenë – marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës.
Ai i tha TV N1 se debati parlamentar, kushtuar kësaj çështjeje ishte domethënës sepse, siç është shprehur, “i ka dhënë një impuls të ri nevojës për dialog”, transmeton Koha.net.
“Biseda dhe debati ka qenë me rëndësi. Për herë të parë gjatë mandatit tim, në seancën e Kuvendit u fol haptas për Kosovën. Ajo që ka thënë presidenti ishte shumë interesante, disa gjëra që i ka thënë në lidhje me konstatimin e realitetit, mbi përballjen me të vërtetën e hidhur mbi Kosovën kanë qenë mesazhe me rëndësi për opinionin serb”, është shprehur Scott.
Por, siç është shprehur ai, për të ka qenë pak dëshpëruese ta shohë të zbrazët një pjesë të madhe të sallës së Kuvendit, meqë opozita nuk ishte në karriget e parlamentit.
Në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Scott tha se “askush nuk do të duhej të mbështeste funksionarë të korruptuar dhe aktivitete ilegale”
“Ka ndodhur një aksion policor arrestimesh, aksione të ngjashme ndodhin edhe në Serbi. Dallimi më i madh është se Qeveria (e Serbis) ka mobilizuar ushtrinë në gjendje gatishmërie, ndërsa popullsia e Kosovës veriore është orvatur të përzihet në operacionet policore, duke vendosur barrikada në rrugë, që ka shkaktuar përplasje të reja. E gjitha tregon vetëm sa e brishtë është situata, në çfarë shkalle është mosbesimi. Aksion ka pasur jo vetëm në veri, por edhe në jug, janë arrestuar edhe shqiptarë, edhe serbë, edhe boshnjakë”, ka thënë Scott, transmeton Koha.net.
Në lidhje me samitin e Parisit në fillim të korrikut, që e organizojnë Franca e Gjermania, Scott ka thënë se SHBA, ndonëse nuk është ftuar, mbështet procesin “nëse mbledhjet ndihmojnë që njerëzit t’u kthehen bisedimeve”, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se taksat duhet të hiqen.
“Duhet të kemi mirëkuptim të ndërsjellë për heqjen e pengesave. Tarifat duhet të hiqen, duhet të ndërmerren masa në mënyrë që procesi të ecë përpara”, ka thënë Scott.
I pyetur nëse ekziston mundësia për kompromis në lidhje me Kosovën deri në fund të vitit, ai është përgjigjur se para gjashtë muajsh ka qenë më optimist, por ka shtuar “Kurrë mos thuaj kurr!”.
“E vetmja mënyrë është të bisedohet ballë për ballë për çdo gjë midis Beogradit e Prishtinës. Zgjidhja duhet të burojë nga ky rajon, jo nga Brukseli, Uashingtoni ose Moska, dhe që ajo të jetë e qëndrueshme dhe stabilizuese për rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndirmor. Mendoj se ka perspektivë për progres”, ka thënë Kyle Scott, ambasador i SHBA në Beograd.
Ai ka shtuar se “konflikti i ngrirë nuk është as në interes të Serbisë, as të Kosovës”, dhe se këtë e kishte dëgjuar edhe nga presidenti i Serbisë në seancën e Kuvendit. “Asnjëra palë nuk do të marrë atë që dëshiron pa marrëveshje për normalizim”, ka saktësuar Scott.(ina)