Ditën e sotme, dhjetëra emigrantë shqiptarë që kanë mbushur moshën e pensionit kanë protestuar përpara ambasadës italianë. Emigrantët kërkuan krijimin e një marrëveshje të munguar mes shtetit shqiptar dhe atij italian për njohjen e viteve të punës dhe përfitimit të pensionit. Edhe pse në këtë shtet jetojnë mbi 540 mijë emigrantë shqiptarë, negociatat e nisura prej vitesh ende nuk kanë arritur në konkluzion.
Në Itali janë mbi 540 mijë emigrantë shqiptarë me dokumente të rregullta, të cilëve u shtohen dhe punonjësit sezonal.
Pavarësisht këtij numri mes dy shteteve nuk ka një marrëveshje për njohjen e viteve të punës dhe përftimit e pensionit. Situata e krijuar ka nxjerrë në protestë dhjetëra emigrantë shqiptarë. Në fakt bisedimet me Italinë kanë nisur prej vitesh por pa një konkluzion. Për këtë protestuesit i kërkuan ambasadorit Cutillo të ndërhyjë.
“Të vijë të bisedojë me pensionistët. Qeveria shqiptare nuk çan kokën për ne”
Pas shumë vitesh punë në Itali, mundësia që u ofrohet është të marrin pensionin në Shqipëri, por me një kosto sipas tyre të lartë.
“Shteti shqiptar hesht. Tani ose është një akord i fshehur dhe ne nuk dimë gjë. Këto janë mashtrime të pastra, boll”
Kërkesën për përftimit të pensionit, emigrantët ia drejtuan dhe ministrisë së jashtme, ku kërkuan ndërhyrjen e shtetit shqiptar për njohjen e viteve të punës në Itali. Në vitin 2019 janë rreth 22 mijë shqiptarë që dalin në pension. Shqipëria ka marrëveshje me rreth 8 shtete për pensionet dhe me 14 të tjerë është në bisedime.