KPA ka lënë në fuqi vendimin e parë të vettingut të dhënë nga KPK për prokuroren Rovena Gashi. Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka shkarkuar nga detyra prokuroren.
Gashi, me detyrë pranë Prokurorisë së Përgjithshme u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit por vendimi i ankimua nga vetë prokurorja.
Sot trupi gjykues i KPA, vendosi edhe në prani të vëzhgueses ndërkombëtare, se zonja Rovena Gashi subjekt i rivlerësimit për shkak të funksionit të saj si prokurore të shkarkohet nga detyra.
Me sa duket problemet me deklarimin e pasurisë kanë qenë shkak për vendimin e marrë nga KPA.
Në 25 korrik të vitit të kaluar, anëtarët e KPK Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj vendosën shkarkimin e prokurores nga detyra. Gashi, e pezulluar nga detyra për shkak se ishte nën hetim për fshehje pasurie, nuk ishte e pranishme në seancën e asaj kohe.
ILDKPKI konstatonte se deklarimet nuk janë te sakta, ka mungesë burimesh për pasurinë qe ka dhe ka deklarim të rremë te pasurisë./l.m