I quajturi “Eskobari i Ballkanit”, Kelmend Balili ka ankimuar vendimin duke kërkuar pafajësi. Kërkesa e tij vjen pas dënimit me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Balilit deklaron se nuk ka lidhje me trafikun e drogës dhe se prokuroria nuk ka prova për të vërtetuar akuzat e ngritura.
Pritet hedhja e shortit për të përcaktuar trupin gjykues në Apel dhe seancën e parë. Kujtojmë se në Shkallë të Parë, mbrojtja e Balilit pretendoi se numri që prokuroria thotë se është i tiji, në të vërtetë nuk vërtetohet që i përket Balilit.
Për rrjedhojë, tha mbrojtja edhe personi që del në përgjime nuk është Kelmend Balili. Ndërkohë për numrin e pasaportës, avokati tha se dikush e ka dërguar qëllimisht për të implikuar klientin e tij.
Por pavarësisht pretendimeve, treshja gjykuese në Shkallë të Parë e gjeti fajtor Balilin për akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe e dënoi atë me 10 vite burg. Kelmend Balili u akuzua për trafikimin e rreth 678 kilogramë kanabis, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe fshehje të pasurisë./l.m