Kohët e fundit qarkullon hipoteza se me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit mund ta konsiderojë nul procedurën për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori e pranoi se nëse do të ekzistonte Gjykata Kushtetuese do të kishte një tezë ku do mbështetej në Kushtetutë.
Megjithatë ai e konsideroi këtë ide si sterile, pasi vendimi i marrë nga opozita është politik dhe do të thotë që edhe nëse nuk digjte mandatet atëherë do të shkonte në bojkot dhe për rrjedhojë pas 6 muajsh do ishin djegur mandatet.
“Kemi marrë një vendim politik dhe i jemi bindur të gjithë ne deputetët. Ne dorëzuam mandatet, nuk na lidhi njeri dorën. Kjo është vendimmarrja jonë. Ju po thoni që Gjykata Kushtetuese do të kthejë djegien e mandateve në bojkot.
Pra kjo nuk e ndryshon faktin që ne kemi marrë vendimin në atë parlament nuk shkojmë. Vendimi është politik. Edhe sikur mos të kishte qenë ai vendim, por të kishte qenë vendim bojkoti ne nuk do kishim qenë në parlament sot dhe diskutimi ishte që pas gjashtë muajsh do ishin djegur mandatet, dhe në fund të Korrikut do kishim djegur mandatet.
Ne sot nuk kemi garancinë që rotacioni politik të ndodhë me zgjedhje demokratike të lira dhe të ndershme.
Ç’thotë Kushtetuta në nenin 164 që kërkon një procedurë të caktuar që duhet ta ndjekë parlamenti dhe KQZ, të cilat nuk e kanë ndjekur dhe ngihet hipoteza se çdo të vendoste Gjykata Kushtetuese.
E para ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe pse jemi sot në këtë krizë? Sepse nuk kemi Gjykatë Kushtetuese sepse kafshon qeni bishtin në këtë histori.
Është një hipotezë që është kushtetuese, por sterile. Sterile politikisht sepse kriza nuk është këtu. Kriza është thelbësisht politike në raport me legjitimitetin e parlamentit që vjen nga një votë e blerë, e dhunuar, e provuar tashmë dhe për këtë arsye ç’diferencë do kishte bojkoti dhe djegia e mandateve.
Teknikisht është një zgjidhje kushtetuese juridike që në vetvete mbetet sterile kur nuk janë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është sterile, duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese.
E dyta është një tezë që ka një platformë të veten kushtetuese dhe ligjore, por që vlen zero në kuadrin politik. Ajo nuk i jep zgjidhje problemit themelor.
Nuk garanton zgjedhje, nuk garanton garancitë për zgjedhjet e për rrjedhojë do ishte një ushtrim në letër për të provuar një tezë juridike boshe”, tha Bylykbashi.