Një shqiptar u arrestua nga autoritetet italiane të Bolzanos pasi u kap me sasi lëndësh narkotike.
Ai është 37-vjeçari me inicialet A.G, që punonte si shofer.
Prej kohësh ai ishte vënë në vëzhgim nga policia, ndërsa në momentin e kontrollit iu gjet 300 gram kokainë dhe 3 kg hashash.
Të premten e kaluar, shqiptari u kontrollua teksa ishte duke furnizuar mjetin me karburant, në qendër të Bolzanos.
Fillimisht iu gjet në makinë një sasi prej 53 gram kokainë, por gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, në Oltrisarco, u gjet edhe sasia tjetër e drogës.
Kokaina ishte fshehur me mjeshtëri në pjesën e kuzhinës, ndërsa hashashi ishte ndarë në “kapsula” dhe pako katrore.
Droga, e cilësisë së pastër, do t’i kishte dhënë atij 1 mijë e 500 doza kokainë dhe mbi 26 mijë doza hashash.
/a.r