Nga Skënder Minxhozi/
“Do ta rrëzojmë me të gjitha mënyrat. Zgjidhjet politike evitojnë përplasjen me popullin. Nëse nuk e do zgjidhjen politike, përballu me popullin. Nuk kam turp unë që të them që e organizoj dhunën po të jetë puna”. Kjo frazë i përket një ish-deputeti të Partisë Demokratike në një nga debatet e fundit televizive dhe bën fjalë për rrëzimin e qeverisë Rama. Deklarata u bë pak orë pasi drejtësia vendosi ndjekjen penale të gjashtë ish-deputetëve të PD, për shkak të një videoje që tregonte sesi ata ishin kacafytur me punonjësit e policisë, në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Një pjesë e opozitës po flirton rrezikshëm me idenë e dhunës, që nga 16 shkurti, kur u mor vendimi për djegien e mandateve. Basha e Kryemadhi, e mbi të gjithë i përjetshmi Berisha, e kanë rrahur shpesh gjoksin, duke thënë publikisht se po të duan pushtojnë Kryeministrinë, Kuvendin dhe ndoshta edhe hotelet e kafenetë e Bulevardit aty rrotull. Padyshim që munden, paçka se herën e fundit që opozita shkeli me antitank në krah në zyrat e qeverisë, qëndroi edhe shtatë vjet të tjera në vendnumëro. Në opozitë!
Afrimi i zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pamundësia për të destabilizuar qeverinë me protesta, të cilat sa vijnë e bëhen më të ashpra, e për pasojë edhe më të vogla, ka krijuar idenë se faktorizimi duhet të vijë me çfarëdo mjeti. Të dalim në media, të flasin për ne, të shqetësohen për situatën këtu me çdo kusht. E nëse lidhjet direkte të mediave ruse janë të lehta për t’u siguruar, sfida është të tërhiqet vëmendja e CNN, Euroneës dhe BBC. Sepse kur mediat ndezin projektorët, të njëjtën gjë detyrohet të bëjë edhe politika ndërkombëtare.
Sot projekti opozitar i rrëzimit të qeverisë po kalon gjithnjë e më pranë korsisë së rrezikshme të aplikimit të dhunës ndaj kundërshtarit. Në një nga të rrallat herë në një studio televizive, Berisha e pa veten kundër të gjithë panelit të gazetarëve, kur përpiqej t’u mbushte mendjen atyre dhe shqiptarëve se dialogu është sëmundje prej të cilës duhet të ruhemi dhe se me qeverinë duhet përdorur vetëm përballja. Pa përjashtuar asnjë opsion, kujdesej të shtonte Doktori, i ja ka dalë të frymëzojë edhe sot pasardhësit e tij, në vitin 2019, me kuklturën e tij të urrejtjes si standart politik. Një anakronizëm i hatashëm që pasi na mbajti 30 vjet të lidhur me tranzicionin dhe izmat e tij, po na pengon të këpusim zinxhirët e një demokracie të dobët dhe thellësisht të klorruptuar.
Dhuna po kthehet në një psikozë gjithnjë e më të pranishme në krizën politike shqiptare. Një ambjent thellësisht acid dhe i mbingarkuar me paragjykime, mosbesim dhe urrejtje. Opozita ka kuptuar se ka bërë një gafë të rëndë në shkurt. Por ka kuptuar gjithashtu edhe se është vonë për të riparuar diçka në atë që ka bërë keq dhe pa u menduar gjatë. Dhjetra paralajmërime të marra nga të gjitha anët, në shqip e gjuhë të huaj, kanë shërbyer vetëm që Basha të pushojë herë pas here përdorimin e lëndëve djegëse e mjeteve shpërthyese, që i japin protestave të tij imazhin kërcënues të një turme të verbër. Në thelb nuk ndryshon asgjë. Dhuna dirigjohet nga partitë politike dhe fillon ose ndalet kur ato vendosin kështu. Kjo është ajo që shohim nga njëra protestë në tjetrën. Kjo është ajo që dëgjojmë nga një deklaratë në tjetrën. Sepse një panel i tërë përfqësuesish politikë sot ka dalë nga shinat e arsyes dhe të ligjit dhe janë gati të kapin molotovët e gurët e bulevardit. Dhe dita kur politikani kryen këtë transformim, gjithçka mund të jetë përveçse politikan.