Nga Mero Baze
Ka një ngazëllim në radhët e opozitës për zgjedhjet europiane, aq sa të duket se këto nuk ishin zgjedhje për Parlamentin Europian, por për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Ngazëllimi i parë ka të bëjë me emra të përveçëm, siç është humbja e eurodeputetit Knut Fleckenstein dhe mundësia për të mos parë më Mogherinin në krye të Brukselit. Kjo, jo se këto dy personalitete kanë ndonjë gjë me PD-në, por PD-së i duheshin si armiq, për të justifikuar dështimet e tyre.
Njësoj siç nxjerrin armik çdo ambasador amerikan në Shqipëri dhe çdo amabasador të BE, po ashtu kishin shpallur armiq dhe dy personalitete të Europës, që merreshin me Shqipërinë dhe ishin pozitivë për hapjen e negociatave.
PD po e kthen në traditë shpalljen armik të çdo miku të Shqipërisë. Dhe në këtë rast, nuk na zhgënjeu.
Ngazëllimi i dytë ka të bëjë me shumicën e Partive Popullore Europiane në Parlament. Ky është vërtet lajm pozitiv, pasi EPP është një koalicion pro- europian dhe është lokomotiva e zgjerimit të BE. Por PD shpreson që kjo fitore e EPP të shërbejë për ta mbajtur Europën e pazgjeruar, duke ju lutur të lënë jashtë Shqipërinë.
Edhe këtë fitore PD po përpiqet ta paraqesë si zgjidhje të hallit të saj në Tiranë. Në të vërtetë, është e kundërta. EPP është deri më sot kritikuesja më e ashpër e Bashës dhe vendimeve të PD për bojkot, dhe nëse vazhdon kështu, mund të rrezikojë dhe ndonjë kartelë të verdhë nga EPP, si partia e Orbanit.
Deklarata e fundit e Joseph Daul për bojkotin e Bashës është më e rëndë se sa letrat e Edi Ramës. Ndaj PD nuk di për çfarë gëzohet.
Ngazëllimi i tretë pastaj është dhe më banal, se ka të bëjë me zonjushën Kokalari, që ka fituar si suedeze në Parlamentin Europian. Biles një deputet i Bashës, nga ata që hedhin bojë në Parlament dhe që fshijnë servera krimesh, kishte postuar dhe foto me Arbën, a thua se ajo mund t’ia heqë njollën si deputet ordiner.
Arba nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, dhe as me politikën tonë. Ajo e ka në dorë vetë të mburret, ose të injorojë origjinën e saj, por ne nuk kemi asnjë të drejtë të mburremi me të.
Dhe nuk mendoj se ka ndonjë arsye kaq të fortë për t’u gëzuar. Kishte rreth 30 shqiptarë të tjerë që garuan dhe humbën në këto zgjedhje. Është thjesht një erë e re e shqiptarëve të diasporës që garojnë si qytetarë europianë.
Por ka vetëm një gjë që PD-në, e vë në siklet ajo që ndodhi me zgjedhjet europiane. Fakti që ato nuk u bojkotuan nga askush, nuk kërkoi askush shtyrje, nuk kërkoi askush pazar para tyre, dhe nuk i kontestoi askush.
Ngazëllimi i PD për zgjedhjet europiane, është si të kujtosh litarin në shtëpinë e të varurit. Në PD nuk është problem si dalin zgjedhjet, problem është që sa herë ka zgjedhje, kryetari i tyre kërkon pazar dhe nuk hyn në zgjedhje.
Kjo nuk u pa në asnjë cep të Europës, dhe në vende ku demokracia shpesh vihet në dyshim. PD duhet të ndiejë njëfarë sikleti kur flet për zgjedhje. Motoja e saj këto kohë është si të mos shkohet në zgjedhje.