Lajme të bujshme qarkulluan ditë më parë se Pep Guardiola kishte pranuar ofertën e Juventusit për të marrë drejtimin e skuadrës për katër vitet e ardhme, me pagë që shkonte në total mbi 100 milionë euro.
Këto zëra i mohoi menjëherë Alberto Galassi, një anëtar i bordit drejtuesit të klubit nga Manchesteri.
Në këtë linjë ka qëndruar edhe drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, i cili në një intervistë për DAZN tha se këto lajmë kanë qenë thjesht shpikje sepse ata s’kanë vendosur asnjëherë kontakt me trajnerin spanjoll.
“Mendoj se jetojmë në një botë të çuditshme. Ne nuk kemi patur asnjë kontakt, nuk e kemi menduar kurrë këtë gjë, sepse Guardiola është nën kontratë. Mua më duket shumë e çuditshme”, tha Paratici.
Më tej ai vijoi duke thënë se në klub i kanë idetë e qarta, fillimisht do të vlerësojnë të gjitha mundësitë dhe alternativat që kanë në tavolinë dhe më pas do të vendosin, por kjo do të ndodhë pas finaleve të Champions dhe Europa League.
/a.r