Partitë që janë të përkushtuara për forcimin e Bashkimit Evropian, arritën të mbajnë dy të tretat e vendeve në Parlamentin Evropian, por e djathta ekstreme dhe nacionalistët shënuan rritje në zgjedhjet që përfunduan të dielën.
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Parlamenti Evropian, Partitë Popullore (EPP) do të kenë 178 vende dhe pasohen nga socialdemokratët me 152 vende. Të dyja kanë shënuar rënie nga zgjedhjet e vitit 2014.
Liberalët kanë shënuar një rritje duke siguruar 101 vende dhe të gjelbrit 67. Konservatorët kanë siguruar 60 vende, ndërsa e nacionalistët e ekstremit të djathtë dhe popullistët së bashku kanë 108 vende në Parlamentin Evropian. Vendet tjera ndahen në mes të të majtëve dhe të tjerëve përfshirë edhe të pavarurit.
Gjykuar nga rezultatet, liberalët do të jenë rol thelbësor në ngritjen e institucioneve të BE-së.
Zyrtarët evropianë janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje që arriti në 51 për qind, ndryshe nga 43 për qind sa ishte në vitin 2014. Kjo pjesëmarrje shënoi edhe ndryshimin e trendit në rënie që nga votimet e para të vitit 1979.
Në Gjermani, konservativët e kancelares Angela Merkel, shënuan një rënie prej 7 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërsa AfD e ekstremit të djathtë, shënoi një rritje prej 4 për qind. Por lajmi kryesor ishte fakti që të gjelbrit morën 21 për qind duke dalë para Social Demokratëve.
Në Francë, lëvizja e presidentit Emmanuel Macron mori 22 për qind të votave duke mbetur prapa Marin Le Pen, forca e së cilës mori 24 për qind. Megjithatë partitë pro evropiane kanë shumicën, meqë të gjelbrit francez u radhitën në vendin e tretë.
Në Greqi, kryeministri Alexis Tsipras, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme për shkak të humbjes së thellë përballë konservatorëve në opozitë.
Në Itali, ministri i Brendshëm i linjës së ashpër, Matteo Salvini, është fitues i zgjedhjeve.
Deputetët e rinj të Parlamentit Evropian me mandat pesë vjeçar, do të shqyrtojnë dhe miratojnë ligje të propozuara nga Komisioni Evropian, të cilat më pas gjithashtu do të duhet të miratohen nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së. /voa
g.kosovari