Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka përshëndetur shqiptarët që kanë vendosur të kandidojnë për zgjedhjet në Greqi e Itali, por njëherësh edhe ato për Parlamentin Europian.
Diplomati Bushati teksa shpreh mbështetjen dhe fton qytetarët shqiptarë që jetojnë në vendet fqinje që t’i mbështesin si dhe nga ana tjetër iu drejtohet edhe kandidatëve me fjalët e shkrimtarit të madh shqiptar, Faik Konica: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”.
Bushati me një shënim në faqen e tij në “Facebook” shprehet se emri i gjithsecilit prej shqiptarëve që garojnë në zgjedhje përbën një histori të veçantën suksesi, ndërsa shton se kombi shqiptar është evropian në frymë dhe në veprim.
Postimi i plotë i ish ministrit të Jashtëm:
Zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian ofrojnë një mundësi të jashtëzakonshme për bashkëkombasit tanë në Itali dhe Greqi për të mbështetur kandidatët shqiptarë si përfaqësues të ardhshëm në Parlamentin Europian.
Mbi 200 mijë shqiptarë në Greqi gëzojnë të drejtën për të votuar. Komuniteti shqiptar ka shansin historik që neser të mbështes Eda Gemin që kandidon me partinë Lëvizjen për Ndryshim (ish-PASOK); Ermela Janan që kandidon me partinë Potami; dhe rreth 30 kandidatët shqiptarë që janë përfshirë në garën vendore e rajonale në Greqi.
Mbi 150 mijë shqiptarë në Itali gëzojnë të drejtën për të votuar. Gerarta Ballo është e vetmja shqiptare kandidate për në Parlamentin Europian.
Ajo është kandidate e Partisë Demokratike në Jugun e Italisë. Ndërkohë rreth 160 kandidatë shqiptarë, që rrokin të gjithë spektrin politik italian, janë përfshirë në garën administrative në Itali.
Nuk besoj se sot ka ndonjë familje shqiptare që nuk ka një të afërm që jeton, punon apo studion jashtë shtetit.
Ndaj jam besimplotë se nesër në Itali dhe Greqi shqiptarët do të ushtrojnë të drejtën e tyre në funksion të përfaqësimit sa më të mirë me burra dhe gra të suksesshme që vijnë nga radhët e tyre.
Si shqiptarë të nderuar ata gjithashtu janë edhe promotoret më te mirë të Shqipërisë Europiane si dhe dëshmi e gjallë e faktit se shqiptarë janë europianë në frymë e veprim.
Secili prej tyre përbën histori suksesi në Itali dhe Greqi duke mos harruar për asnjë çast fjalët e Faik Konicës: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj.