Një humbje në finalen e Ligës së Kampionëve do ishte e rëndë për Jyrgen Klop”. Fjalë këto të Zhoze Murinjos, dy herë fitues i trofeut me Porton dhe Interin. Aktualisht pa skuadër, trajneri portugez ka komentuar supersfidën, e programuar për javën e ardhshme (më 1 qershor, ora 21:00) mes Liverpulit dhe Totenhemit, në intervistën e parë që ka dhënë pas shkarkimit nga Mançester Junajtid.
“Më shumë për Klop”, ka komentuar Mou. Duke e argumentuar me praninë e gjermanit në finalen e tretë radhazi të kompeticionit, pasi ka humbur dy paraardhëset kundër Realit (vitin e kaluar) dhe Bajernit (pesë vite më parë, kur drejtonte Borusian), ndërsa në total ka dalë me disfatë në gjashtë nga shtatë finale. “Nëse Jyrgeni fiton, do ishte një arritje e madhe. E konsideroj një person pozitiv, mendoj se po e ëndërron fitoren”.
HAZARD – Më tej, Murinjo është pyetur edhe për lëvizjen e shumëpërfolur të merkatos Hazard-Real. Belgu po i afrohet vitit të fundit të kontratës me Çelsin dhe blutë e Londrës janë të vetëdijshëm se duhet të veprojnë menjëherë nëse nuk duan të pësojnë minusvalenca me 28-vjeçarin. Mou beson se marrëveshja mes lojtarit dhe klubit madrilen do arrihet pa probleme, megjithatë me shpresën që largimi të zyrtarizohet pasi ish-skuadra e tij të fitojë një trofe, pse jo Ligën e Europës kundër Arsenalit (e programuar për datën 29 maj, ora 21:00).
“E shoh si ndeshjen e fundit të Edenit me blutë, e konsideroj një pikë kyçe për sukseset e Çelsit. Dëshiron gjithmonë të fitojë dhe me shumë mundë si do shkojë te Reali me një trofe të fundit për blutë. Presioni qëndron kryesisht mbi Arsenalin, sepse Sarri ka siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa për ‘topçinjtë’ e vetmja mundësi është triumfi në Ligën e Europës”, përfundoi Murinjo. PANORAMA