Geoffrey Rush i fiton më shumë se 2 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje
Fituesi i çmimit Oscar, Geoffrey Rush, i fitoi 1.96 milionë dollarë australianë pasi ngriti padi kundër një tabloidi në Sydney për shkak të shpifjeve, ku pretendohej se ai e kishte ngacmuar seksualisht një aktore të re.
Muajin e kaluar, gjykata federale në Sydney vërtetoi se Rush (67) ishte viktimë e shpifjeve në tekstet e publikuara në vitin 2017 dhe urdhëroi që Rushit t’i paguhen 850,000 dollarë dëmshpërblime.
Të enjten, gjykata vendosi që aktorit t’i paguhen edhe 1.96 milionë dollarë interes dhe dëmshpërblim për humbjen e të ardhurave në të kaluarën dhe në të ardhmen për shkak të ndikimit të këtyre artikujve në reputacionin e tij.
Pagesa, prej gjithsej më shumë se 2.8 milionë dollarë, është pagesa më e madhe për shpifje në Australi që një person e ka fituar në gjykatë, sipas televizionit australian ABC, shkruan KOHA Ditore.
Rush e paditi Daily Telegraph në vitin 2017 për shpifje për shkak të teksteve në të cilat pretendohej se ai e kishte ngacmuar seksualisht dhe e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme një yll të ri femror gjatë performancës së “Mbretit Lir” në Sydney gjatë viteve 2015-16.
Në një vendim të publikuar në prill, gjykata federale konstatoi se raporti ishte “një shembull i pamatur dhe i papërgjegjshëm i gazetarisë sensacionale të llojit më të keq” dhe se aktorja Eryn Jean Norville është e prirë të “ekzagjerojë dhe shtojë”.
Avokatja e Rush, Sue Chrysanthou të enjten tha se në fillim të vitit 2018 aktori u ofroi gazetave që të kërkojnë falje dhe t’ia paguajnë atij një kompensim prej 50.000 dollarë, por Nationwide News nuk u përgjigj në këtë, raportonABC.
Tabloidi do ta apelojë aktgjykimin. (Koha)