Tetë plazhe ideale për ata që duan një përzierje mes diellit dhe kulturës, vetëm dy hapa larg Italisë, shkruan gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset.
”Shqipëria është destinacioni në zhvillim i Mesdheut për shkak të bukurisë së detit të saj dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimit. Një vend që ofron peizazhe me bukuri madhështore dhe shumë mikpritje.
Për italianët, ndër të tjera, Shqipëria është afër dhe mund të arrihet lehtë aty me traget nga Bari, Ankona ose Trieste me anije që ofrojnë të gjitha komoditetet. Këtu janë disa nga treguesit për plazhet e saj më të bukura për transparencën e ujit, për shërbimin dhe për natyrën që i rrethon ato.
Saranda dhe dëshira për jetën e natës – Pjesa më joshëse e bregdetit shqiptar, Saranda, është e famshme për jetën e natës. E vendosur në mes të Jonit dhe kodrave të ullinjve përballë ishullit të Korfuzit dhe pak kilometra nga Greqia, ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të arsyeshme, ngrënien në Kështjellën e Lëkurësit, eksplorimin e vendit arkeologjik të Butrintit, trashëgimi e UNESCO-s me mbetjet e qytetërimit të lashtë grek, një teatër që nga shekulli III para Krishtit dhe një bazilikë të hershme të krishterë.
Riviera e Ksamilit – në jug të Sarandës është një tjetër dhuratë e natyrës. Riviera e Ksamilit e konsideruar si perla e Jonit për shkak të bukurisë së saj, me pamje nga katër ishuj të vegjël, dy prej të cilëve mund të arrihen me anije dhe madje edhe duke notuar. Nuk është një vend për jetën e natës, por një zgjedhje perfekte për ata që duan të relaksohen duke parë shkëmbinjtë e pjerrët dhe shtratin e detit.
Stili i Karaibeve në plazhin e Jalës – Është një nga vendet më të bukura në bregun e Jonit, me rërë të bardhë dhe ujëra të pastra të rrethuara me shkëmbinj dhe bimësi të dendur me të gjitha aromat e Mesdheut. Ngjyrat ndryshojnë vazhdimisht dhe përzien me tonalitetet e detit, më të ftohta në agim dhe të ngjyrosura në portokalli në perëndim të diellit.
Pishat e Himarës – Të ecësh nëpër shëtitoren e Himarës është me të vërtetë interesante, me aromën e pishave dhe pamjen nga deti Jon. Plazhet janë me rërë dhe ujërat janë shumë të qarta. Është e mrekullueshme të zhytesh në detin kristal të Potamit ose Livadhit, Spillesë ose Llamanit.
Mes natyrës dhe historisë në Porto Palermo – Uji duket si mëndafsh blu para plazhit të Porto Palermos dhe ka një pamje të mahnitshme nga kështjella e ndërtuar në 1818 nga Ali Pashë Tepelena në ”eshtrat” e një kështjelle antike veneciane. Gjiri është aq i bukur saqë shpesh gjallërohet nga set-e kinematografike, shkruan ata.
Gadishulli i Karaburunit – Një xhevahir i natyrës, Gadishulli i Karaburunit, i cili ofron pamje të jashtëzakonshme, së bashku me ishullin Sazan, është pjesë e Parkut Kombëtar Detar. Ndodhet pak kilometra larg Vlorës dhe është e rrethuar me bimësi, midis gjirit me detin kristal ndodhet dhe Shpella e Piratëve, duke përfshirë shpellën e Haxhi Aliut e cila i referohet emrit të udhëtarit që e ka përdorur atë si një strehë.
Vlora dhe rrethinat – Vlora është porti i dytë më i madh në vend. Jo shumë larg nga Tirana dhe me pamje nga deti Adriatik, ofron plazhe të pajisura mirë, restorante shumë të veçanta dhe dyqane të modës. E përshtatshme për ata që kërkojnë një plazh të bukur, por jo shumë të izoluar nga konteksti social. Zhytjet janë të njohura në Gjirin e Vlorës, por mbi të gjitha, duke u drejtuar në zonën e bukur të Nartës, 14 kilometra larg, me Zvërnecin e famshëm që strehon Kishën e Shën Mërisë, një manastir ortodoks i shekullit XIII, i fshehur në mes të qiparisëve.
Dhërmi, plazhi me guralecë – Në jug të Vlorës gjendet plazhi i shkëlqyer i Dhërmiut, i vendosur në mes të Llogorasë dhe Sarandës. Pesë kilometra gurë të lëmuar dhe një det i ëmbël, i pasur me peshq. Për të lënë prapa zhurmën e turistëve mjafton thjesht të bëni për një çast një shëtitje të bukur në këmbë dhe ju do të gjendeni përballë lagunës blu me pak njerëz dhe pa asnjë ndërtesë të lartë”, përfundon gazeta italiane online Tgcom24, pjesë e grupit mediatik italian Mediaset.
Top Channel