Shkarkimi i gjyqtarit Edmond Islamaj e la Gjykatën e Lartë me vetëm 2 anëtarë, duke e nxjerrë jashtë funksionit.
Ashtu si Gjykata Kushtetuese, edhe ajo e Lartë, tashmë është futur në ngërç në një kohë që numri i dosjeve që presin të shqyrtohen, ka shkuar rreth 31 mijë. Deri tani, Gjykata e Lartë ishte duke punuar me ritme të shpejta dhe kishte dhënë disa vendime urgjente, që mund të zgjidheshin me anëtarët e mbetur.
Tashmë, kësaj Gjykate i kanë mbetur kreu, Xhezair Zaganjori, dhe Ardian Dvorani. Ky i fundit është edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, Xhezair Zaganjori pritet që shumë shpejt të fillojë “betejën” në Shkallën e Dytë të vetingut, pas ankimit të Komisionerit Publik, bërë vendimit të konfirmimit në Shkallë të Parë.
Në lidhje me këtë situatë të gjyqësorit në vend ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili tha se pasojat e kësaj gjendjeje do t’i vuajnë vetëm qytetarët dhe biznesi, shkruan panorama.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamajn, pasi nga shqyrtimi ka rezultuar se ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe pamjaftueshëm të pasurisë dhe për këtë nuk arrinte nivelin e besueshëm.
g.kosovari