Sot në Kuvend pritet të miratohet projektligji për minatorët, metalurgët dhe naftëtarët, projektligj ky që nuk është pritur mirë nga këta të fundit pasi kërkojnë që t’ju jepet statusi.
Ndërkohë gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ka folur më tej për projektligjin dhe ka sqaruar se çfarë përfitojnë tre kategoritë e lartpërmendura.
“Ky projektligj u jep një trajtim suplementar shtesë tre kategorive të profesioneve më të vështira, minatorëve nën tokë, punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit dhe metalurgjisë.
Konkretisht do të përfitojnë nga ky projekt ligj:
13300 minatorë
7600 naftëtarë
2500 metalurgë
Me miratimin e këtij projekt ligji sigurohet pensioni suplementar, si një shtesë mbi pensionin e pleqërisë, të përfituar nga skemat kontributive.
Përfitim tjetër i këtyre kategorive është edhe ulja e moshës së daljes në pension, në 55 vjeç për minatorët, dhe 60 vjet për naftëtarët dhe metalurgët.
Projektligji është një trajtim monetar shtesë, nuk është status për këto profesione, pasi statuset janë me spektër më të gjerë që lidhen jo vetëm me përfitime financiare në moshë pensioni.
Ky projektligj ju jep pension para kohe deri në 10 vjet të moshës normale të daljes në pension, këtyre tre profesioneve si dhe ju jep shtesë mbi pension të gjithë pensionistët aktualë dhe atyre që do të dalin në në vijim.
E theksoj edhe një herë, kjo shtesë mbi pension nuk është e financuar nga kontributet, por një privilegj që u bëhet këtyre tre kategorive të financuara nga buxheti i shtetit.
Me këtë shtesë të ardhurat e tyre arrijnë në shumën e pensionit maksimal që përfitojnë pensionistët e tjerë përmes skemës së kontributeve.
Në këtë projektligj përfshihen edhe metalurgët.
Ky projektligj jep përfitime shtesë për ata minatorë, naftëtarë, dhe metalurgë që kanë punuar në industrinë shtetërore dhe që punojnë në sektorin privat, por parashikohet që punëdhënësi dhe punëmarrësi të paguajnë kontribute në masën 5%. Me këto kontribute parashikohet që të ulet gradualisht edhe ngarkesa e buxhetit të shtetit”, sqaroi Denaj.
g.kosovari