Lulzim Basha i ka dhënë përgjigje letrës publike të Edi Ramës. Gjatë fjalës së tij në Durrës, kryedemokrati tha se ai dhe mbështetësit e opozitës janë përpara dy zgjedhjeve: Kapitullim ose fitore.
“Ne kemi përpara dy dilema: kapitullim ose përballje deri në fitore. Edi Rama dhe kriminelët me të cilët uzurpoi pushtetin, na propozojnë kapitullimin.
Ai na propozon që me 30 qershor ne të bëjmë sehir teksa ai do të zhvillojë një grusht shteti përmes zgjedhjeve false.
Me propozimin e tij ai kërkon mbajtjen e karriges së tij dhe kapitullimin e popullit përballë bandave” – tha kryetari i Partisë Demokratike.
Me tone të ashpra, Lulzim Basha u bëri thirrje militantëve për përballje me votuesit në çdo qendër votimi më 30 qershor.
Më herët, kryeministri Edi Rama përmes një letre publike i kërkoi Bashës të ulen të tryezën e dialogut pa kushte. Sipas Ramës, të vetmit që po humbasin nga situata janë shqiptarët.
Rama shkruante se datën e zgjedhjeve nuk mund ta negociojë pasi nuk ka hapësirë ligjore, ndërsa shtonte se e ka të paqartë përse nuk u respektua marrëveshja e 17 Majit nga Basha.
/javanews/a.rada