Nga Alfred Peza
Ilir Meta sot është një njeri në hall. Ndaj, gjithkush jo vetëm që duhet ta mirëkuptojë, por edhe ta justifikojë. Edhe ta besojë. Edhe tia qajë hallin. E mundësisht të gjithë bashkë, të mundohemi që ta shpëtojmë nga vetvetja, Presidentin e Republikës sonë.
E them këtë, pasi kemi hyrë në muajin e 4 të djegies së mandateve të deputetëve të “Opozitës së Bashkuar”, daljes së tyre nga Parlamenti dhe firmosjes së marrëveshjes për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ai ende bën sikur nuk po e kupton se çfarë po ndodh realisht. E si të mos mjaftonte kjo, në vend që të paktën të heshtë për kushtet ku me sa duket dodhet, Ilir Meta flet duke thënë gjëra që dashur pa dashur, e fyejnë inteligjencën e qytetarëve të këtij vendi.
Formulën e deridjeshme të tangos së tij “interesante”, të një hapi pas nga njëra palë e dy hapave prapa nga pala tjetër politike në Shqipëri, Presidenti e zëvendësoi me një formulim të ri. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën me temë: “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Meta tha se “dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet… Por sistemi ka qenë jo funksional, edhe kur kanë qenë ata”.
Nuk është e qartë se çfarë ka parasysh Presidenti i Republikës sonë me fjalën “sistem”. Interesante do të ishte nëse do e shtjellonte më tej këtë frazë. Por, nisur nga konteksti i gjithë fjalës së tij në këtë event, u kuptua se e kishte me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që nuk është se ska ndodhur gjë, pavarësisht se pas pak javësh, ajo do të bëhet sërisht funksionale. Sqarimin e plotë për këtë çështje e ka bërë Kryeministri Rama.
Por, që të nisesh nga ky rast e të thuash se “sistemi ka qenë jo funksional, edhe kur kanë qenë ata” në Parlament (pra PD, LSI e aleatët), kjo është jo vetëm krejtësisht e papranueshme. Por edhe cinike, dashakeqe dhe e pavërtetë. Tregues ky se Ilir Meta është tashmë hapur e publikisht, palë me opozitën jashtparlamentare.
Për ta kuptuar më mirë këtë, le të sqarojmë se çfarë është sistemi politik i një vendi?
Sipas “Enciklopedia britanike”, e konsideruar si botimi më serioz i këtij lloji në botë, sistemi politik përcaktohet si “tërësia e institucioneve formale që së bashku përcaktojnë një “qeveri” ose një “shtet”. Kompleksiteti i konceptit konfirmohet edhe në përkufizimin e mëposhtëm të sistemit politik: “Në kuptimin e vet më të përgjithshëm, shprehja sistem politik i referohet një tërësie institucionesh, grupesh dhe procesesh politike të karakterizuara nga një shkallë ndërvarësie reciproke”.
Në këto kushte dikush duhet ti thotë Kryetarit të Shtetit tonë, qoftë edhe si “përfaqësues i unitetit të popullit”, se e ka tërësisht gabim kur flet për mosfunksionalitet të sistemit. Sepse përveç Gjykatës Kushtetuese, për shkaqe përjashtimisht madhore (pas 30 vjetësh drejtësia po reformohet rrënjësisht), të gjitha ato që përbëjnë “tërësinë e institucioneve formale të qeverisë dhe të shtetit”, kanë funksionuar dhe vazhdojnë të funksionojnë tërësisht pa asnjë ndërprerje.
Edhe tre pushtetet; ai ekzekutiv (qeveria qëndrore e lokale), pushteti legjilsativ (Parlamenti), drejtësia (prokuroria e sistemi i gjykatave) e kanë vijuar punën pa u ndalur. Sikundër kanë funksionuar në vijimësi çdo orë të ditës dhe çdo ditë të të gjitha këtyre viteve, agjensitë, entet dhe institucionet e tjera kombëtare, shtëtërore e publike. Duke mos penguar për asnjë çast sistemin, si “tërësia e proceseve politike të karakterizuara nga një shkallë ndërvarësie reciproke”.
Kaq mjafton për të kuptuar fare qartë se Ilir Meta bën një përcaktim tërësisht të gabuar, duke dashur që ta përdori rastin e Gjykatës Kushtetuese, si “gozhdën e Nastradinit” për të varur xhaketën e interesave të tij politike, të cilat në këtë rast dalin jashtë kornizës kushtetutese të të qenurit Presidenti i Republikës. E si të mos mjaftonte kjo, Ilir Meta vijoi:
“Po dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën Presidenti? Unë kamë bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses”. Pyetja që lind pas kësaj është: Kë konsideron Ilir Meta bërje të asaj që i takon, atëherë kur ai i ul apo kur nuk i ul në dialog Ramën, Bashën e Kryemadhin, të cilët dukshëm nuk pajtohen në qëndrimet e tyre në lidhje me zgjedhjet e 30 Qershorit? Se të thuash “kam bërë atë që më takon”, e menjëherë pas kësaj të deklarosh se “Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem…”, kjo çdo gjë mund ta ketë emrin. Por vetëm qasje Presidenciale dhe sjellje prej Kryetari Shteti, nuk mund të quhet.
Meqë opozita jonë jashtparlamentare ka marë rrugën pa rrugë dhe fundi i saj është i kuptueshëm, të paktën të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë, në gjithë këtë histori absurde. Ndaj, po gjej rastin këtu për të bërë një thirrje shumë të sinqertë: “Shpëtojeni Presidentin Ilir Meta”, sa jemi në kohë. Më vonë, me siguri që do të jetë shumë vonë. Jo vetëm për ata që ai sot nuk i ulka dot sepse i thënkërkan se nuk ulemi. Por, edhe për atë vetë!