Ndryshe nga projektet e tjera, kontratat e ndërtimit në Partneritetin Publik Privat të dy akseve kombëtare Milot-Balldren dhe Dukat-Orikum do të miratohen në parlament, duke i dhënë mundësi Kuvendit që të japë mendime dhe të bëjë ndryshime sa i përket kostos dhe cilësisë së rrugëve.
Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e kontratave me kompanitë që dolën fituese për të marrë koncesionet e rrugëve, ndërsa mësohet që në negociatat që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar me kompanitë ANK dhe Gjikuria, është ulur interesi që qeveria do t’i kthejë atyre për investimin që firmat do të bëjnë në këto dy rrugë.
Projekti i rrugës Milot-Balldren parashikon ndërtimin e një aksi tërësisht të ri, që është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe do të kushtojë 161 milionë Euro për 17.2 kilometra.
Ndërsa projekti i dytë parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro.
Të dy veprat janë pjesë e programit “1 miliardë Euro investime” dhe do të ndërtohen fillimisht me kapital të operatorëve privatë, ndërsa buxheti i shtetit do të shlyejë shumën e investuar në vite.
/a.rada