Një grup studentësh janë rikthyer përsëri në protestë pas tre muajsh. Ata janë të pakënaqur dhe shprehen se nuk janë zbatuar të gjitha pikat e paktit për universitetin. Studentët kanë publikuar edhe kërkesat e tyre.
Ata janë grumbulluar përpara ministrisë së Arsimit duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Studentët kanë parashtruar 14 kërkesa, por thonë se sot në ministri do të dorëzojnë 5 prej tyre.
Studentët kanë thyer xhamat e ministrisë, kanë hedhur tymuese dhe ndezur zjarr.
“Kjo është një protestë simbolike, por edhe një mesazh që duhet ta marrë ministria e Arsimit që të plotësojë kërkesat, sepse nesër do të jemi shumë më shumë dhe nuk mund të rrimë si në dhjetor”, tha një prej studentëve.
Kërkesat kryesore të tyre janë rrëzimi i ligjit të arsimit të lartë, arsim cilësor, programe bashkëkohore, rritje të peshës së përfaqësimit dhe autonomi reale. Gjatë protestës ata kanë djegur edhe disa letra që sipas tyre simbolizojnë premtimet e pa mbajtura.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar studentët nisën protestat masive para Ministrisë që zgjatën deri në muajin shkurt. Ata kërkuan tarifa më të ulëta si dhe përmirësimin e kushteve në universitete.
g.kosovari