Policia e Tiranës arrestoi një 46-vjeçar, që ishte shpallur në kërkim për falsifikim vulash e stampash si dhe për krijimin e skemave mashtruese.
Në pranga ka përfunduar shtetasi me iniciale A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit dyshohet se përmes skemave të mashtrimit, në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë përftuar sasi të mëdha parash.
Njoftimi i policisë:
Kapet një 46-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, kapi dhe ndaloi shtetasin:
– A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur për të, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ky shtetas, në bashkëpunim me disa të tjerë, të kapur dhe ndaluar më parë, ka siguruar të ardhura monetare nga ky aktivitet i paligjshëm. Materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme. /i.h