Lezha ishte ndalesa e radhës e ‘Grupimit të qendrës së djathtë’. Krerët e 5 partive aleate të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me strukturat dhe mbështetësit e partive që drejtojnë.
Në këtë organizim, që tashmë njihet si ‘Forumi për Zgjedhje të Lira’, u diskutua për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi.
‘Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një ‘qeveri Tranzitore’ pa Edi Ramën kryeministër.’
Krerët e partive opozitare deklaruan se qytetarët nuk do të lejojnë që zgjedhjet e 30 qershorit të kthehen në një farsë të demokracisë. Duke i bërë apel të gjithë elementëve të përgjegjshëm të shoqërisë dhe politikës shqiptare, për të shmangur përplasjen dhe konfliktin, theksuan se’ është e domosdoshme krijimi i kushteve politike për ngritjen e një qeverie tranzitore; e cila do të çlirojë zgjedhjet, ekonominë dhe rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe, pas tri dekadash, t’i japë fund trazicionit të tejzgjatur.’
Ata e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve të angazhohen jo vetëm në moslejimin e zgjedhjeve farsë, por edhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në datën 25 maj.
g.kosovari