Prokurori Vatë Staka është prej vitit 2018 nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës, por procedimi penal nuk e ndali Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku që ta kualifikonte atë si kandidatin e vetëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga Besar Likmeta
Zgjedhja e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Shkodër, Vatë Staka si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë më 11 prill u shoqërua me debate të ashpra në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve.
Një grup prej 45 prokurorësh kundërshtuan votimin e Stakës si kandidat i vetëm në KLP duke kërkuar rihapjen e garës; ndërkohë që Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku e mbështeti më forcë kandidaturën e prokurorit nga Shkodra.
Përpara se kandidatura e Stakës t’i paraqitej për votim mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë verifikime dhe ka arritur në përfundimin se kandidati plotëson kushtet për në KLP, duke qenë se ka 20 vite në detyrë, nuk ka pasur masa disiplinore në karrierën e tij dhe se nuk figuron anëtar ose bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Megjithatë, çfarë nuk thuhet në relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme është fakti se në momentin që u votua si anëtar i KLP-së, Staka ishte nën hetim, i referuar nga vetë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi tregojnë që Staka po hetohet nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të zhdukjes së fashikujve hetimorë.
“Aktualisht, për shkak të kompleksitetit të hetimeve çështja është në fazën e kryerjes së veprimeve hetimore dhe administrimit të provave,” tha Prokuroria e Shkodrës.
Hetimet ndaj Stakës nisën si pasojë e akuzave të bëra në media se ai ka falsifikuar dosjet- objekt rivlerësimi gjatë procesit të vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
I pyetur për hetimet e Prokurorisë së Shkodrës, anëtari KLP-së, Vatë Staka i tha BIRN se nuk kishte dijeni për to dhe se nuk mund të shprehej. Staka gjithashtu refuzoi të komentonte ndaj akuzave që i janë bërë më herët në media për tjetërsim të dosjeve.
E pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi në lidhje me procedurën e filtrimit të kandidaturës së Stakës për në KLP, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku nuk ktheu një përgjigje të martën.
Dy herë kandidat
Vatë Staka e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1999 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në fillim të viteve 2000 ai është transferuar në sektorin civil të organit të akuzës. Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik 2018 dhe e kaloi me sukses vetingun.
Por disa javë pas seancës dëgjimore në KPK, në gazetën Shqiptarja.com u botua një denoncim, i cili pretendonte se aktet e dosjeve së Stakës, të cilat ishin objekt hetimi nga KPK ishin manipuluar.
“Aktet e dosjeve objekt hetimi janë ndërruar pothuajse pjesa më e madhe e tyre para se të merreshin fizikisht nga ana e anëtarëve të KPK-së, pasi ose kanë qenë me shkelje proceduriale ose nuk kanë qenë fare në dosje,” shkruan denoncuesi anonim, që i vuri në dispozicion faksimilje të dosjeve gazetës Shqiptarja.com.
“Për këtë skandal kanë përgjegjësi shumë persona që kanë qenë të ngarkuar në këtë proces, edhe vetë prokurori Vatë Staka, për të cilin KPK do marrë nesër vendimin,” shton denoncimi.
Tentativa e parë e Stakës për t’u bërë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pati sukses, pasi kandidatura e tij nuk mori mbështetjen e shumicës së prokurorëve gjatë zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor 2018. Megjithatë, duket sikur Staka nuk e dekurajua nga rezultati.
Pas shkarkimit nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i prokurores Antoneta Sevdari dhe hapjes së një vakance të re në KLP, prokurori i Rrethit Gjyqësor Shkodër kandidoi përsëri dhe këtë herë u përzgjodh, pasi ishte kandidati i vetëm në listë.
Megjithatë, në kohën kur Staka katapultohej në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, denoncimet publike për tjetërsime të akteve në fashikujt e dosjeve objekt hetimi po verifikoheshin.
Dosje në zhdukje
Duke u bazuar në deklaratat publike të bëra nga organi i akuzës, BIRN iu drejtua me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Përgjithshme, duke e pyetur nëse kishte filluar një hetim disiplinor ose penal ndaj prokurorit Staka, pas denoncimeve të bëra në media. Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj se ndaj zotit Staka nuk ishte filluar një procedim disiplinor, por tha se është bërë verifikimi i një ankese të bërë nga një gazetar.
Sipas ligjit 96/2016, verifikimi i ankesës është vetëm faza e parë e procesit disiplinor. Pasi bëhet verifikimi, ankesa mund të arkivohet ose të fillojë hetimi disiplinor. Vetëm në fund të hetimit disiplinor mund vendoset mbyllja e hetimit ose fillimi i procedimit disiplinor.
Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN se pas verifikimit të ankesës, ajo i është kaluar për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
“Pasi është bërë verifikimi i ankesës sipas procedurës së sipërcituar, kemi arritur në konkluzionin se është kompetencë e prokurorisë së shkallës së parë të verifikojë nëse faktet e paraqitura në ankesë janë të vërteta dhe t’u japë cilësimin juridik atyre,” tha Prokuroria e Përgjithshme.
“Pra, për shkak të mungesës së kompetencës lëndore nuk është regjistruar një procedim penal në Prokurorinë e Përgjithshme,” shtoi ajo.
Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu shpjegoi se nëpërmjet shkresës 1365/2, të protokolluar me datë 28 shtator 2018, materiali denoncues është dërguar për kompetencë dhe zgjidhje ligjore në Prokurorinë e Shkodrës.
Një kopje e shkresës së vënë në dispozicion nga Prokuroria e Përgjithshme zbulon se materiali denoncues i është dërguar gazetës Shqiptarja.com, nëpërmjet platformës të mesazheve të rrjetit social Facebook.
Në përfundim të shkresës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku i kërkon Prokurorisë së Shkodrës që ta informojë pas verifikimit dhe dhënies së zgjidhjes ligjore mbi denoncimin.
BIRN iu drejtuar Prokurorisë së Shkodrës nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi në lidhje me zgjidhjen ligjore që i është dhënë ankesës së referuar ndaj prokurorit Staka në shtator 2018. Kjo e fundit u përgjigj se e kishte vendosur nën hetim.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër lidhur me referimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme me shkresën datë 23.09.2018, ju informojmë se ky referim është duke u trajtuar (hetuar) në kuadër të procedimit penal nr 2132 të vitit 2018,” tha Prokuroria në një përgjigje me shkrim.
“Ky i fundit është bashkuar me procedimin penal nr. 168 të vitit 2019, i regjistruar për veprën penale të “Zhdukja ose humbja e fashikullit” e parashikuar nga neni 313/a të Kodit Penal,” përfundoi Prokuroria e Shkodrës.(BIRN)