Komediani Volodimir Zelenski shpalli zgjedhje të parakohshme gjatë betimit si president i ri i Ukrainës. Zgjedhjet ishin planifikuar për në tetor të 2019-tës, por në ceremoninë e zhvilluar në Kiev, Zelenski njoftoi shpërbërjen e parlamentit.
Ai i bëri një apel deputetëve aktualë që në dy muajt e ardhshëm përpara zgjedhjeve, të miratojnë një ligj për të hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti politik dhe për t’iu nënshtruar hetimeve penale, si edhe të ndalojnë me ligj pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve shtetërorë.
Rishtari politik iu drejtua me ironi ligjvënësve se po t’i kalonin këto dy ligje, do u jepte atyre nga një medalje.
Ai tha se fundi i konfliktit me rebelët e mbështetur nga lindja do të ishte prioritet i tij.
Ai shtoi se kërkon të arrijë armëpushim me Rusinë dhe të rifitojë territoret e humbura, por që të ulet në dialog duhet fillimisht që pala tjetër të kthejë në vend të gjithë burgosurit ukrainas.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se nuk do ta uronte 41 vjeçarin për marrjen e detyrës, por do të priste për sukseset e para në zgjidhjen e konfliktit ne juglindje të Ukrainës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kievit dhe Moskës.
Ish ylli i televizionit, i cili aktronte në rolin e presidentit në një serial të njohur, mundi me shumicë dërrmuese paraardhësin Petro Poroshenko, muajin e kaluar. Zelenski e përqendroi fushatën e tij tek lufta kundër korrupsionit në qeveri.
g.kosovari