Ditën e shtunë Papa Françesku ka pritur në një takim 400 gazetarë në Vatikan nga vende të ndryshme të botës që raportojnë për çështjet e Italisë.
Në një fjalim e tij drejtuar gazetarëve të ‘Foreign Press Association’ për Italinë, Papa Françesku ka bërë thirrje që refuzojnë lajmet e rreme dhe të vazhdojnë të raportojnë mbi kushtet shqetësuese të njerëzve.
Papa Françesku i inkurajoi gazetarët e pranishëm në këtë takim që të jenë të përulur kur behët fjalë për probleme për popullin por nga ana tjetër të jenë të pavarur dhe të drejtë me atë që thonë. Një artikull, një postim ose një raport i drejtpërdrejtë, tha ai, mund të bëjë mirë, por edhe keq për të tjerët dhe nganjëherë për të gjithë komunitetet nëse nuk është i kujdesshëm dhe i drejtë.
Duke vënë në dukje se disa tituj “bërtitës” mund të krijojnë një përfaqësim të rremë të realitetit, ai u kërkoi gazetarëve t’i rezistojnë tundimit për të publikuar lajme që nuk janë verifikuar mjaftueshëm.
“Unë ju nxis që të punoni sipas të vërtetës dhe drejtësisë, kështu që komunikimi është me të vërtetë një instrument për ndërtim, jo për shkatërrim; për takim, jo për përplasje; për dialog, jo për monologizim; për orientim, jo për dezorientim; për të kuptuar, jo për keqkuptim; për të ecur në paqe, jo për mbjelljen e urrejtjes; për t’i dhënë një zë atyre që nuk kanë zë, jo për të qenë një megafon për ata që bërtasin më fort”, tha Papa para 400 gazetarëve të Shoqatës së Shtypit të Jashtëm të Italisë.
Ndër të tjera Papa shprehu shqetësimin e tij në lidhje me gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes që përçohet me anë të lajmeve të kronikave. Më pas ai u ndal tek liria e shtypit dhe të qënit e gazetarit në krah të ‘viktimave’. Në fund Papa Françesku shprehu nderimin e tij dhe të Kishës për punën e tyre të çmuar, duke thënë se “kontribuon në kërkimin e së vërtetës dhe vetëm e vërteta na bën të lirë”.