Regjimi sirian dhe aleatja e tij, Rusia, po sulmojnë qëllimisht dhe vazhdimisht spitalet në verilindje të Sirisë, akuzoi organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një seancë urgjente për të diskutuar situatën në provincën Idlib – rajon i kontrolluar nga xhihadistët – ku forcat siriane dhe ruse kanë intensifikuar bombardimet nga ajri.
Shumica e sulmeve raportohet se kanë goditur pjesën jugure të Idlibit dhe pjesën veriore të provincës fqinje, Hama, që kontrollohen nga ish-dega e Al Kaidës, Hayat Tahrir al-Sham.
“Iu bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që takohen të premten për të bërë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund kërdisë kundër civilëve në Idlib dhe për t’i mbajtur përgjegjës kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme”, tha Lynn Maalouf, drejtor për Lindjen e Mesme në organizatën Amnesty International.
Grupi i të drejtave të njeriut kërkoi që Rusisë t’i bëhet presion nga Këshilli i Sigurimit për, siç tha, “sulmet e qëllimshme ndaj 15 spitaleve në Idlib dhe Hama”.
Kombet e Bashkuara thanë se së paku 18 spitale dhe klinika në këto rajone janë shkatërruar ose dëmtuar nga sulmet ajrore gjatë javëve të fundit./ i.h