Një komision parlamentar në Poloni ka rishikuar reparacionet e luftës dhe në bazë të përllogaritjes mund t’i kërkojë Gjermanisë plot 1 trilion dollarë.
Në një prononcim për të përjavshmen konservatore polake, Sieci, Arkadiusz Mularchyk, kreu i grupit parlamentar polak për dëmshpërblimet e luftës, tha se dokumenti i përpiluar nga grupi i tij “vlerëson tërësisht humbjet e pësuara nga Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Edhe pse Mularchyk nuk pranoi të zbulonte shumën totale të dëmit të llogaritur, ai vuri në dukje se totali e “tejkalonte në mënyrë të konsiderueshme” shumën e llogaritur fillimisht në fund të konfliktit dhe se llogaritjet aktuale flasin për një shumë mbi 1 trilion dollarë.
Në vitin 1947, një raport i botuar nga Zyra e Kompensimit të Luftës e vlerësoi shkallën e dëmit nazist në Poloni në 48 miliardë dollarë të kohës – 850 miliardë dollarë me normën e sotme. Megjithatë, qëkur mori drejtimin e qeverisë në vitin 2015, Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) e ka rihapur çështjen e reparacioneve të luftës si një pjesë qendrore të axhendës së saj nacionaliste.
Komisioni parlamentar për këtë çështje i ka kaluar dy vitet e fundit duke u përpjekur të llogarisë shifrën e re, duke rivlerësuar humbjet demografike, dëmet fizike dhe mendore dhe rënien e produktivitetit të pas luftës për shkak të shkatërrimit dhe vrasjeve.
Në ditët në vijim, raporti do t’u përcillet drejtuesve të shtetit, përfshirë presidentin Andrzej Duda dhe kryeministrin Mateusz Moravetsky. Megjithatë, ai sugjeroi që raporti të vihet në dispozicion për publikun më 1 shtator, në 80-vjetorin e pushtimit nga Adolf Hitleri.
Gjatë pushtimit gjashtëvjeçar nazist të Polonisë, më shumë se gjashtë milionë polakë, duke përfshirë tre milionë hebrenj polakë, u vranë. Të tjerë u përballën me dëbimet e detyruara dhe me vite të tëra pune si skllevër, ndërsa shumë qytete polake u kthyen në gërmadha.
Varshavës i është bashkuar Greqia, e cila gjithashtu së fundmi ka kërkuar kompensim të ri për krimet naziste. Megjithatë, Berlini i ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur këto kërkesa duke thënë se ka kaluar shumë kohë.
Çështja e dëmshpërblimeve nuk ka gjasa t’i shqitet Gjermanisë, pavarësisht se ajo vetë e konsideron të mbyllur, pasi Polonia nuk do të tërhiqet.
Në dhjetor, Presidenti Duda i tha gjermanes “Bild” se dëmi i shkaktuar nga Gjermania nuk është kompensuar kurrë. Duke theksuar se kryeqyteti “u rrafshua në tokë” gjatë konfliktit, Duda tha se çështja e kompensimit është “çështje e së vërtetës dhe përgjegjësisë”.(TemA TV)