Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Durrës, Valbona Sako ka reaguar për herë të parë pas zyrtarizimit për garën për të drejtuar qytetin bregdetar. “Të nderuar miq dhe bashkëqytetarë. Përulem me mirënjohje ndaj vendimit të forcës politike më progresive në Shqipëri, PS, për të më kandiduar në procesin e zgjedhjes së shërbyesit si Kryetar Bashkie në qytetin tonë, në Durrësin tonë të mirë që kërkon të vijojë zhvillimin.
Me besimin tuaj, shpresoj të ndajmë dhe tregojmë së bashku në ditët që vijnë, fuqinë e madhe të dëshirës së këtij qyteti, që inspiron punë dhe zhvillim të qëndrueshëm për ne dhe fëmijët tanë” shkruan Sako. Në Durrës nuk do të rikandidojë më Vangjush Dako pas 12 vitesh drejtim të qytetit bregdetar, pasi PS-ja zgjodhi që të garojë në 30 qershor me Valbona Sakon.
Ajo ka përfunduar studimet e larta për Financë në vitin 1993, ndërkohë që prej 20 vitesh është pjesë e administratës fiskale të qytetit të Durrësit. Sako mban postin e Drejtoreshës së Tatimeve prej 6 vitesh në Durrës, është e martuar dhe nënë e dy vajzave.
g.kosovari