Policia italiane ka arrestuar një shqiptar në Parma me 431 gram kokainë të pastër, me vlerë 40 mijë euro.
Mediat e vendit fqinj e kanë identifikuar atë si Eqerem Petritaj, 27-vjeç.
Policia në Parma tha sot se e kishte futur në përgjim që prej katër vjetësh Petritajn pasi që në vitin 2015 monitorohej nga antidroga sepse konsiderohej si i përfshirë në linjën e trafikut të drogës Evropë e veriut-Itali.
Kohët e fundit ai shihej teksa hynte shpesh në një garazh pranë shtëpisë së tij ku pasi qëndronte për disa minuta, largohej sërish.
Ditën e djeshme antidroga italiane e vendosur në afërsi të shtëpisë së shqiptarit, priti që 27-vjeçari të largohej dhe më pas ta ndalonte dhe ta kontrollonte atë në makinë.
Pavarësisht nga rezultati negativ i kontrollit të kryer mbi të dhe në makinë, Petritaj tregoi shenja të dukshme nervoziteti.
Pas makinës kontrolli vijoi në shtëpinë e tij ku iu gjet dhe sekuestrua 9 gr marijuanë dhe 10 gr hashash dhe krem hashashi.
Më pas oficerët vazhduan kontrollin në garazhin, ku e kishin parë shpesh 27-vjeçarin të hynte, dhe iu gjet një çorape që përmbante kokainë, të paketuar në 4 mbështjellës, me peshë totale prej 431.1 gramë nga droga e fortë.
/a.r