“Prodhimet tona janë 100% të sigurta. Shqiptarët duhet të jenë krenarë për këto produkte, të cilat shkojnë në të gjithë Europën”. Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi teksa provoi domatet që kultivon në serrën e tij fermeri Gjergji Hoxha në fshatin Bishan të Vlorës.
Ministri pa nga afër këtë biznes familjar me traditë gati 20-vjeçare, ku kultivohen mijëra tonë domate për tregun vendas dhe për eksportin.
“Nuk ka as histori gjilpërash, as histori hormonesh. Nga 300 mijë tonë prodhime bujqësore që kemi eksportuar gjatë vitit 2018, nuk kemi asnjë kamion të kthyer mbrapsht. Kjo ka një domethënie të madhe për cilësinë e produktit. Ftoj të gjithë konsumatorët shqiptarë të konsumojnë këto prodhime që janë jo vetëm të sigurta, por edhe të shijshme”, u shpreh ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi.
Më herët, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe institucionet në varësi të saj, janë shprehur se nuk do të tolerojnë askënd që cënon sigurinë ushqimore dhe rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
/a.r