Reperja e njohur shqiptare që jeton në Zvicër, Loredana Zefi është arrestuar në orët e para të së mërkurës nga autoritetet zvicerane. Portali i njohur zviceran “20 minutes” ka raportuar për arrestimin dhe akuzat për të cilat është vënë nën pranga reperja nga Kosova.
Bëhet fjalë për një dëm material të shkaktuar ndaj një çifti zviceran, vlera e të cilit shkon deri në një miliona franga zvicerane. Loredana akuzohet për mashtrim në vlerë të 700 mijë frangave, kurse vëllai i saj Berati për 200 mijë franga.
Mendohet se vëlla e motër kanë marrë para nga çifti 50 vjeçar përmes kanosjes dhe kërcënimit. Tani, çifti 50 vjeçar posedojnë fakte përmes transaksioneve bankare të bëra për deponimin e parave, raporton gazeta 20min.ch.
“Loredana dhe vëllai i saj kanë marrë gjithçka nga ne. Paratë tona. Thjesht çdo gjë që ne si njerëz të zakonshëm kemi punuar shumë për to”, ka thënë Petra Z.
“Për shkak të saj kam dashur ta vras veten”, ka treguar më tej ajo për të përditshmen zvicerane “20 minuten”, teksa ka përmendur edhe faktin se si rrjedhojë e këtij dëmi material, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë humbur edhe banesën e tyre.
Çifti i ka dhënë para kesh vëllait të artistes vitin e kaluar për një çështje teksa më vonë është paraqitur në lojë Loredana.
Reperja ishte paraqitur me një emër të rrem tek çifti, duke u thënë se do t’ua kthente paratë në mënyrë të ligjshme. Sipas asaj që raporton “20 Minuten”, njëra nga gazetat më të njohura në Zvicër, Loredana ishte paraqitur te çifti me emrin Anna Landmann si avokate 29 vjeçare dhe hiqej se ishte e bija e një avokati të njohur në Zvicër me emrin Valentin Landmann.
g.kosovari